Kosova

Kurti thotë se rritja ekonomike është 9.9%, më e madhja nga shpallja e pavarësisë

Kryeministri Albin Kurti, priti në takim deputetët e Parlamentit Gjerman, Christian Petry, nga Partia Social Demokrate SPD dhe Boris Mijatović, nga Partia e Gjelbër.

Në njoftimin e Qeverisë thuhet se Kurti ju ka thënë deputetëve gjermanë se sipas Bankës Qendrore të Kosovës, rritja ekonomike në Kosovë është 9.9 %, e që pohon se përbënë rritjen më të madhe ekonomike që nga shpallja e pavarësisë.

“Buxheti i vitit 2022 është buxheti më i madh ndonjëherë në Republikën e Kosovës, me një rritje prej 12% krahasuar me buxhetin e vitit të kaluar”.

“Bazuar në indikatorët ekonomikë, ekonomia vendore po përformon mirë, me rritjen e të hyrave doganore për mbi 1/3, krahasuar me vitin paraprak. Ndërsa eksportet janë rritur me 66%, të hyrat buxhetore janë rritur për 30%, e investimet e huaja për 53%”, citohet t’u ketë thënë Kurti.

Ndërsa sipas njoftimit, deputetët gjermanë theksuan që te politikbërja gjermane do të ketë vëmendje të shtuar për Kosovën dhe rajonin, si dhe premtuan mbështetjen e tyre për objektivat e përbashkëta.