Kosova

Zvicra ofron mbështetje për sistemin e shëndetësisë në Kosovë

Një nga pikat kryesore të takimit ishte edhe mundësia e fillimit të bashkëpunimit me qëllim përgatitjen profesionale të mjekëve të rinj nga Kosova përmes kontributit të kuadrove dhe institucioneve përkatëse akademike dhe shëndetësore të Zvicrës.

Ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi priti sot në takim Ambasadorin e Zvicrës, Thomas Kolly dhe zv. Drejtorin për Bashkëpunim në Ambasadën e Zvicrës, Laurent Tourche.

Ministri Latifi, falënderoi shtetin e Zvicrës dhe personalisht Ambasadorin Kolly, për ndihmën e dhënë tash e disa dekada për Kosovën dhe zhvillimin e saj, ndihmë kjo poashtu e drejtuar edhe drejtë përmirësimit të sistemit shëndetësor në Kosovë, posaqërisht të kujdesit parësor, transmeton Albinfo.ch.

Ministri Latifi në vazhdim falënderoi Zvicrën për ndihmën e ofruar në ballafaqim me pandeminë Covid-19, si dhe për gatishmërinë që të ndihmojë në të ardhmen rreth furnizimit me vaksina.

Me këtë rast, Ministri Latifi shtoi se gjatë disa muajve të fundit vendi ynë ia ka dalur me mjaftë sukses ta përballojë pandeminë, megjithatë theksoi se duhet të vazhdojmë përqendrimin dhe ta mbajmë gjendjen nën kontrollë, pasi që Covid-19 ende nuk ka përfunduar.

Kësisoj, të dyja palët u dakorduan që për këtë temë të përgatiten edhe pikat konkrete që ky bashkëpunim të fillojë në të ardhmen e afërt.
Në konkluzion gjithashtu u diskutua edhe për krijimin e Qendrës Klinike Ekselente, si investim tejet i rëndësishëm për sistemin shëndetësor të Kosovës.