Lajme

Debat për Ukrainën në OKB, SHBA: Do të reagojmë në rast pushtimi

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia u përballën të hënën në OKB në lidhje me Ukrainën, me palën ruse që dështoi të pengonte seancën e thirrur nga pala amerikane.

“Ne e kuptojmë plotësisht dëshirën e homologëve amerikanë që të nxisin histerinë lidhur me të ashtuquajturin ‘agresioni rus’. Është diçka që ata duan ta bëjnë edhe në Këshillin e Sigurimit. Kolegët tanë në këtë këshill ndodhen nën një presion të madh dhe ky është një dëm që u bëhet atyre dhe vetë Ukrainës”, u shpreh Vasily Nebenzya, ambasador i Rusisë në OKB.

Nga ana tjetër, ambasadorja amerikane hodhi poshtë pretendimet e Moskës se Uashingtoni po ndjek “diplomacinë e megafonit” me thirrjen e Këshillit të Sigurimit.

“Rusia ka lëvizur edhe 5 mijë trupa në Bjellorusi, bashkë me raketa me rreze të vogël veprimi, forca speciale dhe sisteme anti-ajrore. Kemi prova që tregojnë se ajo synon të zgjerojë praninë me mbi 30 mijë trupa të reja në afërsi të kufirit mes Bjellorusisë dhe Ukrainës, nga i cili duhen më pak se dy orë për të arritur Kievin”, tha Thomas Greenfield, ambasadore e SHBA-së në OKB.