Lajme

Aprovohet pilula e kompanisë Pfizer

Pilula anti-COVID e kompanisë “Pfizer” është aprovuar nga Enti Evropian për Medikamentet (EMA).

Kjo pilulë do të përdoret për trajtimin e të rriturve që rrezikojnë seriozisht të preken nga virusi.

Miratimi nga EMA, që duhet të pasohet nga aprovimi nga Komisioni Evropian, u lejon shteteve anëtare të BE-së shpërndarjen e ilaçit, udhëzimet për përdorimin e të cilit në raste emergjence u dhanë vitin e kaluar.

Italia, Gjermania dhe Belgjika janë pjesë e një grupi vendesh të BE-së që e kanë blerë ilaçin, i etiketuar me emrin Paxlovid.

Medikamenti në fjalë, bashkë me atë Merck, shihen si opsione premtuese për trajtimin e personave të sëmurë me COVID dhe mund të merren që kur shfaqen simptomat, me qëllim parandalimin e shtrimit në spital dhe vdekjen.

Sipas të dhënave të nxjerra nga testet klinike të kompanisë “Pfizer”, Paxlovid ishte thuajse 90 për qind efikas në parandalimin e shtrimeve në spitale dhe vdekjeve te pacientët me rrezik të lartë sëmundjeje.

Të dhënat laboratorike të nxjerra së fundmi kanë treguar gjithashtu se Paxlovid është efikas edhe ndaj variantit Omicron.