Lajme

Austri: 500 euro kupon për çdo vaksinim

Me lotarinë e vaksinimit, çdo i dhjeti i vaksinuar mund të ketë një shans për të fituar një kupon prej 500 euro për çdo vaksinim. Kjo vlen për ata që tashmë janë vaksinuar dhe gjithashtu për ata që sapo janë duke u vaksinuar, raporton albinfo.at

Kancelari i Austrisë, Karl Nehammer, zëvendëskancelari Werner Kogler dhe kryetarja e partisë opozitare SPÖ, Pamela Rendi-Wagner, kanë rënë dakord për miratimin e një „Pakete nxitëse” për të rritur shkallën e vaksinimit. Në fakt, drejtuesja e SPÖ, Pamela Rendi-Wagner, prej muajsh ka kërkuar që të bëhet e mundshme një premi për personat që vaksinohen. Duke u bazuar në këtë, partitë qeverisëse ÖVP dhe të Gjelbrit hartuan të martën një model tjetër për të stimuluar qytetarët për vaksinim.

Qeveria vendosi që Bashkitë (Landet), të cilat kanë kuota të larta të vaksinimit, duhet të shpërblehen. Ky propozim u hodh në votat e Parlamentit, të cilën e votuan shumica e deputetëve. E kjo do të bëhet përmes kampanjës „Lotaria e vaksinës“ (Impflotterie), ku mund të fitoni nga 500 euro kuponë për çdo vaksinim.

Me lotarinë e vaksinimit çdo i dhjeti i vaksinuar mund të ketë një shans për të fituar. Kjo vlen për ata që tashmë janë vaksinuar dhe ata që sapo janë duke u vaksinuar. Konkretisht, ekziston mundësia për të fituar për çdo vaksinim të pjesshëm – nëse jeni vaksinuar tri herë, mund të fitoni tri herë, njofton albinfo.at.

Kjo do të bëhet sipas shortit që do të fillojë nga 15 marsi, e do të vazhdojë deri në fund të dhjetorit 2022. Shorti do të hidhet në televizionin ORF, në bashkëpunim me partnerët e tjerë.

“Për ne është e rëndësishme që të ketë edhe shpërblim për ata që janë vaksinuar, edhe nxitje që të vaksinohen tani. Ky është rasti me lotarinë e vaksinimit, ku do të ketë kupona 500 euro për shfrytëzim në bizneset e vogla tregtare, si: turizëm, gastronomi, shërbime, kulturë dhe sport, por jo për blerje në dyqane online”, thotë Nehammer për mediat austriake.
“Ne duam të vazhdojmë të mbështesim komunat dhe qytetet anembanë Austrisë në informimin e qytetarëve lokalë për vaksinimin – për këtë do të vihen në dispozicion 750 milionë euro”, shprehet ai. „Edhe nëse kjo shumë shkon deri në 1 miliard euro, për mua është e pranueshme“, shton kancelari austriak.