Futboll

Milaim Rama për albinfo.ch: Ndeshje speciale Zvicër-Kosovë

Ish-sulmuesi i njohur shqiptar, Milaim Rama ka folur për ndeshjen miqësore Zvicër-Kosovë

Zvicra dhe Kosova për herë do të përballen mes veti. Dy përfaqësueset do të luajnë në miqësoren e 29 Marsit në Cyrih. Kjo ndeshje është speciale për disa futbollistë nga Kosova që luajnë për Zvicrën, për futbollistët e Kosovës që luajnë në Superligën zvicerane, apo edhe tifozët shqiptarë që jetojnë në Zvicër.

Megjithatë, kjo është një ndeshje speciale edhe për ish-futbollistin e njohur Milaim Rama. Ai ishte futbollisti i parë nga Kosova që luajti për Zvicrën. Madje, ishte pjesë e Evropianit 2004, duke debutuar ndaj Francës.

Në një intervistë për albinfo.ch, Rama ka folur për emocionet e këtij takimi. “Sigurisht se do të ketë emocione të veçanta, shkaku që po luhet një ndeshje miqësore mes dy Përfaqësueseve, Zvicrës dhe Kosovës. Kjo është hera e parë që përballen këto dy shtete, qoftë në garat zyrtare apo miqësore. Besoj se interesimi do të jetë i madh për këtë ndeshje”, është shprehur Rama për albinfo.ch.

Ai ka luajtur shtatë ndeshje për Nati-n. “Sigurisht se do të kisha dëshirë që si lojtar ta përjetoj këtë ndeshje në fushë, por sa ishte pjesë e Përfaqësueses Zvicerane nuk ishte e mundur, kurse tashmë është bërë realitet”, shtoi Rama.

Interesimi për bileta do të jetë i madh. “Sigurisht se interesimi nga ana e bashkatdhetarëve do të jetë i madh, pasi për herë të parë luajnë Zvicra dhe Kosova. Kanë mundësi të shohin futbollistët e Zvicrës dhe Kosovës dhe të shijojnë atmosferën”, nënvizoi ish-futbollisti i Thun dhe Schaffhausen.

Zvicra më 26 Mars do të përballet me Anglinë në miqësore, ndërsa Kosova mbetet të caktojë edhe një kundërshtar tjetër për miqësoret e Marsit.