Lajme

Vaksina Pfizer mund të kombinohet me atë kundër pneumonisë

Kompania Pfizer tha se këto të dhëna dalin te studimet e kryera te personat mbi 65 vjeç dhe se studimi është në fazën e fundit.

Në studimin, që nisi në muajin maj, kompania ka testuar vaksinën e gjeneratës së ardhshme pneumokokale të quajtur PREVNAR 20 dhe 570 pjesëmarrësit në studim e kanë marrë këtë vaksinë së bashku me dozën përforcuese të vaksinës Pfizer/BioNTech kundër koronavirusit.

Qëllimi i studimit ishte që të testohet siguria e këtij kombinimi dhe përgjigja imunitare, duke shtuar vaksinën kundër pneumonisë dhe vaksinës ekzistuese kundër COVID-19. Të dhënat e këtij studimi mbështesin administrimin potencial të PREVNAR 20 së bashku me vaksinën e Pfizerit kundër koronavirusit, që thuhet se redukton numrin e vizitave të njerëzve te mjekët apo farmacitë për imunizimin e rekomanduar.

Administrata amerikane për Ushqim dhe Barna në qershor të vitit të kaluar miratoi përdorimin e PREVNAR 20 me qëllim që të ndihmojnë popullsinë e rritur kundër sëmundjeve pneumokokale dhe kundër pneumonisë.

Pjesëmarrësit në këtë studim ishin marrë nga studimi i fazës së fundit për vaksinën kundër COVID-19. Që të gjithë kishin qenë të imunizuar me dozën e dytë të paktën gjashtë muaj para se të merrnin pjesë në këtë studim të ri.