Kosova

Predikuesit islam të ndarë në dilemën: A duhet myslimanët të pranojnë zemrën e derrit?

Ka të atillë që thonë se është 'haram' të marrësh një organ nga derri derisa ka edhe predikues që besojnë se për çështje shëndetësore nuk paraqet problem

Transplanti i zemrës së derrit tek njeriu ka ngjallur reagime tek predikuesit islam duke qenë se sipas mësimeve islame, gjithçka që lidhet me këtë kafshë ndalohet për myslimanët, shkruan Albinfo.ch.

Hoxha Shefqet Krasniqi, e sheh këtë veprim si degradim dhe haram, derisa kolegu i tij, Drilon Gashi, thotë se kur bëhet fjalë për shpëtimin e jetës së njeriut, lejohen edhe veprimet e ndaluara.

“Në të gjithë librat qiellor derri ka qenë i ndyrë dhe çdo produkt i tij po ashtu. Por që shumë popuj e kanë futur në përdorim pavarësisht ndalimit, ndërkaq çifutët dhe myslimanët vazhdojnë të mos e konsumojnë, andaj përdorimi i këtyre produkteve është për me e degradu fjalën e zotit… Ia kanë humbur çdo vlerë jetës së njeriut, ky është degradim”, ka thënë Shefqet Krasniqi për Klankosova.tv

Sipas tij, mjekimi me gjëra të ndyra e të ndaluara është haram, madje në këtë rast edhe më “haram” se alkooli.

“Kjo mund të jetë edhe më e rëndë se pirja e alkoolit për mjekim, pasi alkooli mund edhe të pastrohet nga trupi, ndërkaq kjo mbetet. Pra me e nda trupin me derr është haram. Jo vetëm unë po asnjë mysliman nuk mundet me u pajtu me këtë”, ka thënë Krasniqi.

Ndërsa Drilon Gashi, e sheh këtë veprim si të lejuar në këtë rast.

“Edhe pse mishi i derrit është haram, për çështje të domosdoshme, emergjente, harami bëhet hallall. Pra është e lejuar”, tha ai për klankosova.tv. “S’ka argument që e ndalon sepse në pyetje është jeta e njeriut”.

Madje, ai e bën një krahasim me një besim tjetër që është refuzues.

“Ne s’jemi si dëshmitarët e Jehovajt që s’e pranojnë transfuzionin e gjakut edhe nëse i kushton me jetë”, tha Gashi.