Kosova
Agjencia Kosovare fajësohet për mashtrim të bashkatdhetarëve me bileta fluturimi
Përdoruesit e mediave sociale prej ditësh kanë drejtuar gishtin nga kompania Prishtinajet, e cila ofron fluturime të lira drejt kryeqytetit kosovar. Cila është e vërteta?
Sikur para çdo sezoni pushimesh ose festash, edhe para pushimeve aktuale për festat e fundvitit janë aktivizuar agjenci fantome ose thjesht, mashtruese për të përfituar nga bashkatdhetarët që duan t`i kalojnë pushimet në Kosovë.
Ato shfrytëzojnë edhe faktin e ditur se biletat në agjencitë e rregullta gjatë kësaj kohe janë të shtrenjta, prandaj ofrohen si një “alternativë e volitshme” për të fluturuar në atdhe.
albinfo.ch në të kaluarën ka raportuar në disa raste lidhur me këto agjenci dhe u ka dhënë hapësirë bashkatdhetarëve që janë ankuar se janë mashtruar nga këto agjenci.
Para dhe gjatë pushimeve për festat e fundvitit, kemi sërish një debat lidhur me mashtrimin që u bëjnë këto kompani mërgimtarëve.
Ja çfarë shkruan sot gazeta 20Minuten lidhur me këtë.
“Përdoruesit e mediave sociale prej ditësh kanë drejtuar gishtin nga kompania Prishtinajet, e cila ofron fluturime të lira drejt kryeqytetit kosovar. Disa lexues të 20-minuten raportojnë gjithashtu për zhvatje dhe shërbim të dobët: “Nuk e dimë nëse do t’i shohim përsëri 700 frangat tona”, thotë Enesa 21-vjeçare ga Lucerni, një nga viktimat.
Ajo kishte rezervuar dy fluturime për në Kosovë përmes Prishtinajet në dhjetor: “Prindërit e mi ishin të lumtur që më në fund do të shohin familjen në Kosovë”, transmeton albinfo.ch. Pasi fluturimi ishte shtyrë tashmë një herë, ai, në prag të Krishtlindjeve, u anulua tërësisht. Asaj nuk i ka ardhur asnjë informacion.
Në aeroport ishte kaos dhe zhgënjimi ishte i madh, thotë Enesa. Situata ishte veçanërisht stresuese për babain e saj: “Ai pret të shohë përsëri të afërmit çdo vit”. Për këtë arsye ata u detyruan të rezervonin dy fluturime të reja për 1500 franga për të mos pasur telashe të mëtejshme. Ata kanë kërkuar rimbursim (kthimin e parave) nga Prishtinajet, sipas Enesës. Por, nisur nga përvoja e mëparshme, ajo nuk është e sigurt nëse kjo do të funksionojë.
Edhe 26-vjeçarja F.M. ngre akuza ndaj Prishtinajet: “Kemi humbur mbi 400 franga”, thotë ajo. Nëna dhe motra e saj donin t’i festonin Krishtlindjet me të afërmit në Kosovë, përcjell albinfo.ch. Kur motra e M. i telefonoi Prishtinajet-it për ofertat e lira, fillimisht u paraqitën shumë kompetente.
Por pasi motra e saj ka hedhur disa qindra franga në një llogari bankare (të kompanisë në fjalë) në Lucern, asgjë nuk funksionoi, thotë M.: “Nuk na dhanë as numër fluturimi dhe as biletë”. Ata vazhdimisht i ngushëllonin…
Kështu, në fund motra e saj kishte rezervuar një udhëtim tjetër, me çmim më të shtrenjtë, nëna qëndroi në Zvicër: “Por ajo është ende e mërzitur sepse nuk mundi t’i kalonte Krishtlindjet me të afërmit tanë”, thotë M.
26 vjeçarjaa nga Cyrihu tani paralajmëron të tjerët. : “Periudha e pushimeve të Krishtlindjes në veçanti është stresuese për shumë njerëz. Njerëz të tillë përfitojnë nga kjo”.
Rastet e tilla janë të shpeshta në komunitet
Përparim Avdilit, aktualisht i bie të dëgjojë më shpesh histori të tilla. Ai është nënkryetar i shoqatës Secondas të Cyrihut (dhe asambleist në Parlamentin e qytetit të Cyrihut) dhe ka një rrjet shumë të mirë shoqëror, transmeton albinfo.ch. “Rreth kësaj ka një debat të gjallë në komunitetin shqiptar dhe mua personalisht më janë treguar histori të ndryshme”, thotë ai.
Avdili nuk ka mirëkuptim për këto praktika: “Në të shumtën e rasteve godasin ata që janë të varur nga çdo frangë dhe për këtë arsye kërkojnë oferta të lira në platforma të tilla. Të prekurit e përjetojnë shumë rëndë që trajtohen kështu: “Shumë prej tyre janë të zemëruar dhe të zhgënjyer që nuk mund të shkojnë me pushime ose që nuk arritën të festonin me të afërmit e tyre. Të tjerëve iu desh të rezervonin bileta të tjera, më të shtrenjta”. Sidoqoftë, Avdili këshillon bashkatdhetarët e tij që përpara se të paguajnë biletat të marrin informacione serioze për ofertuesit përkatës.
Kompania shpreh keqardhje për keqkuptimin
Prishtinajet mbrohet nga akuzat dhe arsyetohet duke thënë se bëhet fjalë për “keqkuptime” të cilat kanë qarkulluar ditët e fundit. Problemet, sipas Prishtina Jet, nuk kishin të bënin me vetë kompaninë, por me agjencitë partnere që në fund kanë shitur biletat e fluturimit, transmeton albinfo.ch. Ato janë përgjegjëse nëse klientët nuk marrin shërbimin e premtuar dhe të paguar.
Ata shprehin keqardhje për incidentet dhe janë në kontakt të vazhdueshëm me agjencitë partnere, vazhdon Prishtinajet: “Të gjithë pasagjerët kanë të drejtë për një fluturim alternativ ose për rimbursim të parave të tyre”.
albinfo.ch i është drejtuar kompanisë Prishtina Jet për të dhënë një sqarim rreth rastit. Në vazhdim, po e japim pa ndërhyrje reagimin e përgjegjësit të kompanisë, Mentor Kazazi, të dhënë enkas për albinfo.ch:
Përshëndetje të nderuar,
Faleminderit shumë për mundësinë dhe hapësirën! Ashtu siç kemi sqaruar në reagimin tonë publik, udhëtarët biletat i kanë blerë në OTA (Online Travel Agency) të ndryshme. Këto OTA pastaj mjetet i kalojnë tek ne dhe konfirmohet bileta e aeroplanit. Në këtë rast, këto OTA nuk e kanë bërë transferimin e mjeteve tek ne dhe për rrjedhojë bileta nuk ka mundur të konfirmohet. Ne i kemi njoftuar të gjithë udhëtarët për këtë gjë dhe i kemi udhëzuar që të kërkojnë rimbursim nga këto OTA pasi që për faj të tyre ata si udhëtarë nuk e kanë pranuar shërbimin për të cilin kanë paguar.
Të gjitha fluturimet që janë rezervuar direkt në PrishtinaJet janë realizuar dhe këtë mund ta konfirmoni duke pyetur në Aeroportin e Baselit apo atë të Prishtinës. Shprehim keqardhje dhe e kuptojmë frustrimin e secilit dhe jemi në dispozicion që t’i asistojmë në kontaktim të këtyre OTA-ve për kompensim.
Ju informojmë gjithashtu se të gjitha mediat që kanë keqinformuar dhe publikuar informata të pa konfirmuara për këtë situatë në Kosovë, Zvicër dhe Gjermani do të ndjeken penalisht për shpifje dhe dëmtim të imazhit të kompanisë.
Me respekt,
Mentor Kazazi
Të ngjashme
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe Sot është Dita e Alfabetit Shqip, tashmë e shpallur festë zyrtare e Shqipërisë. 22 nëntori ka...
-
Vjenë
Virale dhe e suksesshme, Almira nga Austria ka 800 mijë ndjekës në rrjetin “tik-tok”
-
Suedi: Diamant Salihu fiton çmimin “Novatorët e vitit”
-
5 orë pritje, anulohet fluturimi nga Bazeli për në Prishtinë
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri?
Jeta në Zvicër
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës. Të mërkurën, ajo i kërkoi...
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes
-
Gjeneva shtyn afatin e pagesës pas rritjes masive të taksës së makinave
-
Gjykata Federale e njeh obezitetin si paaftësi në kushte të caktuara
-
Zvicra, kampion evropian në transportin hekurudhor