Kosova

Vjenë: Ambasada e Shqipërisë nderon Januz Saliukën me titullin “Ambasador i Kombit”

Është bërë e ditur se titulli “Ambasador i Kombit” iu dorëzua z. Januz Saliuka nga Ambasadori Roland Bimo, në Ambasadën e Shqipërisë në Vjenë. Në ceremoninë shumë të kufizuar në respektim të masave kufizuese ndaj përhapjes së Covid 19, morën pjesë përfaqësues të Ambasadës së Kosovës, z. Konsull Isa Kosumi, si dhe përfaqësues të shoqatave shqiptare në Austri, intelektualë të dalluar, familjarë e miq të z. Saliuka.

Në fjalën e rastit, ambasadori Bimo falënderoi të pranishmit për prezencën dhe evidentoi kontributin e veçantë të z. Saliuka në mbështetje të anëtarëve të komuniteteve shqiptare në Austri, rolin e tij si ideator dhe organizues i dhjetëra aktiviteteve kulturore, patriotike, sportive, duke qenë një forcë e vërtetë lëvizëse për të gjithë shqiptarët. Përmes forcës së shembullit të vet, por edhe me punë e ndihmë konkrete, ai u ka shërbyer të gjithëve që i janë drejtuar për ndihmë, për të gjetur rrugën e tyre të integrimit me sukses në shoqërinë e re që kanë zgjedhur të jetojnë në Austri. U nënvizuan gjithashtu virtytet e shqiptarëve, mes të cilëve edhe aftësia për integrim të plotë e të suksesshëm, duke ruajtur njëkohësisht vlerat më të mira të traditës, zakoneve dhe kulturës shqiptare.

Ambasada e Shqipërisë në Vjenë i është mirënjohëse z. Saliuka për ndihmën dhe mbështetjen e pakursyer që i është ofruar. Titulli “Ambasador i Kombit” përbën një vlerësim më se të merituar në njohje të kontributve të veçanta edhe në nxitjen e forcimin e marrëdhënieve midis të dy vendeve tona.   

Z. Januz Saliuka në fjalën e tij falënderoi për nderin që i bëhet, duke e titulluar Ambasador i Kombit dhe shtoi se titulli i takon të gjithë bashkatdhetarëve, shokëve dhe miqve për mbështetjen e vazhdueshme ndaj njëri-tjetrit dhe prezantimin e gjithçkaje të mirë e pozitive nga trojet shqiptare.

Në takim përshëndetën Konsulli i Ambasadës së Kosovës, z. Isa Kosumi dhe mik e bashkëpunëtor i hershëm z. Hazir Mehmeti, përfaqësues i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri “Aleksandër Moisiu”.

Në ceremoni morën pjesë edhe diplomatët e ambasadës z. Tonin Beci, Ministër Fuqiplotë, Artjola Ganellari, Konsulle, si dhe personeli i Ambasadës.