Lajme

Shteti që legalizon rritjen e kanabisit në shtëpi

Malta është vendi i parë i Bashkimit Evropian që legalizon rritjen e kanabisit në shtëpi dhe për përdorim personal.

Deputetët miratuan reformën, duke u lejuar qytetarët të kultivojnë dhe të përdorin sasi të kufizuara kanabis. Sipas ligjit të ri, qytetarët e moshës mbi 18 vjeç do të lejohen të posedojnë deri në shtatë gramë kanabis dhe të kultivojnë deri në katër bimë kanabis në shtëpi.

Parlamenti i Maltës pritej gjerësisht të miratonte projektligjin, i cili është mbështetur nga kryeministri Robert Abela.

Partia nacionaliste e opozitës ka kritikuar reformën, duke thënë se ajo do të “normalizojë dhe do të rrisë përdorimin e drogës” në vend.

Konsumimi i kanabisit në publik do të mbetet i paligjshëm dhe përdorimi i tij përpara fëmijës do të dënohet me një gjobë prej 500 eurosh. Luksemburgu njoftoi plane të ngjashme në tetor, por Parlamenti ende nuk e ka dhënë miratimin.

Disa vende të BE-së kanë dekriminalizuar posedimin dhe përdorimin e kanabisit për përdorim privat, por ligjet shpesh janë të paqarta.

Në Holandë, posedimi, konsumi dhe shitja me pakicë deri në pesë gramë kanabis është toleruar që nga viti 1976 në të ashtuquajturat “kafe të dedikuara”.

Ndërkohë, në Spanjë, prodhimi i kanabisit lejohet për konsum personal, por jo për tregti dhe përdorim publik.

Herman Grech, kryeredaktor në Times of Malta, u shpreh për Euronews se shoqëria malteze është bërë më “tolerante” për përdorimin e kanabisit, po në Maltë përdorimi i tij nuk është aq i përhapur sa njerëzit mendojnë se është./Euronews