Lajme
Nju-Jork: Banorët pa shtetësi amerikane lejohen të votojnë në zgjedhjet lokale
Këshilli i Bashkisë së Nju-Jorkut votoi që banorët pa shtetësi amerikane të votojnë në zgjedhjet lokale. Ky vendim u mundëson rreth 800 mijë banorëve joshtetas të qytetit që për herë të parë të thonë fjalën e tyre.
Nuk është diçka që e sheh çdo ditë. Dy herë në javë në një shëtitore të qytetit organizohen klasë të vallëzimit tango.
Kjo është Jackelin Godoy. Së shpejti ajo do të bëjë diçka që askush nuk e pret dhe që do ta bëjë të ndihet tamam njujorkeze.
Zonja Godoy nuk është shtetase amerikane, por tani ajo mund të votojë në zgjedhjet lokale të qytetit të Nju-Jorkut. Shumë më ndryshe sesa votimi në vendlindjen e saj në Venezuelë, thotë ajo.
“Dihet se atje zgjedhjet ishin të manipuluara. Këtu keni një lloj garancie. Ndjeheni sikur vota juaj ka rëndësi”, thotë votuesja e re joshtetase.
Këtë javë, Këshilli Bashkiak i Nju-Jorkut miratoi një ligj që u mundëson më shumë se 800 mijë banorëve të votojnë. Vendimi përfshin qytetarët me të drejtë pune, banorët e përhershëm, banorët pa dokumente që kanë hyrë në SHBA në moshë minore dhe të tjerë joshtetas të ligjshëm.
Qyteti i Nju-Jorkut nuk është i pari që merr këtë vendim. Disa qytete në Merilend, Vermont dhe Kaliforni lejojnë votimin e joshtetasve. Por kjo ide nuk pritet të zgjerohet në zgjedhjet shtetërore ose federale.
“Mendoj se në nivelin federal, jo. Nisur nga Kongresi aktual, nuk pritet. Në nivel shtetëror është e mundur që të ketë më shumë rezistencë”, thotë profesori Richard Briffault.
Rrugëve të qytetit më të populluar në vend, vendimin e shohin si pozitiv.
“Ata janë pjesë e shkollave, universiteteve dhe punojnë këtu. Ata kontribuojnë për shoqërinë tonë. Pse të mos kenë të drejtën për të votuar?”, thotë Melissa Rojas.
“Pavarësisht nëse ke jetuar këtu 30 ditë apo 30 vjet, duhet të trajtohemi në mënyrë të barabartë”, thotë një banor tjetër.
Të gjesh dikë që kundërshton vendimin nuk është e lehtë në këtë qytet me më shumë se tre milionë emigrantë. Por ka disa.
“Ata duhet të jenë të kënaqur nëse lihen të jetojnë dhe të kenë të drejtën që të paktën të punojnë këtu”, thotë James Crisp.
Ndërkohë, senatori republikan i shtetit të Nju-Jorkut, Rob Ortt, tha se lejimi i joshtetasve të votojnë është vendim i gabuar, pasi zhvlerëson votat e qytetarëve amerikanë dhe është mungesë respekti për emigrantët që punojnë për shtetësinë dhe privilegjin për të votuar.
Organizimi i zgjedhjeve do të kërkojë angazhim shtesë për krijimin e dy llojeve të fletëvotimeve, një proces që kërkon angazhimin e institucioneve shtetërore dhe federale.
“Do të jetë një sfidë administrative që zgjedhjet të bëhen ashtu siç duhet”, thotë profesori Briffault nga Universiteti Columbia.
Një shprehje thotë se duhen dy veta për të vallëzuar tango. Zonja Godoy thotë se në zgjedhjet e para do të votojë për një kandidat, ashtu siç zgjedh partnerin e kërcimit – dikë që e kupton atë dhe tek i cili mund të besojë./VOA
Të ngjashme
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit Valdete Hoti dhe Shoqata “Parandalo”, të cilën ajo e drejton, dëshmojnë se edhe një iniciativë e...
-
43 orë në bllokim trafiku për të arritur në Kosovë nga Zvicra
-
Abdixhiku aludon se nga mbi 100 mijë të regjistruar për votim nga diaspora, 40 mijë janë mbështetës të LDK-së
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
-
Personalitetet Shqiptare të vitit 2024, në numrin më të ri të revistës albinfo.ch
Jeta në Zvicër
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit Valdete Hoti dhe Shoqata “Parandalo”, të cilën ajo e drejton, dëshmojnë se edhe një iniciativë e...
-
Gjeneva aktivizon planin e saj të akomodimit emergjent
-
Reshjet e fundit të borës nxisin fluksin turistik në Zvicër
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
-
Personalitetet Shqiptare të vitit 2024, në numrin më të ri të revistës albinfo.ch