Tematike

Kishte therur një të moshuar – shqiptari çohet në psikiatri, por nuk dëbohet nga Zvicra

Ndryshe nga gjykata e rajonit,  gjykata e lartë vendosi që shqiptari të mos largohet nga Zvicra pas mbarimit të masës spitalore

Personi që kishte goditur me thikë një person dhe kishte kërcënuar disa të tjerë, para Migros-it në Biel/Bienne duhet të shkojë në psikiatri. Gjykata e Lartë (Kantonale) e Bernës ka mbështetur sot vendimin e Gjykatës Regjionale. Por ai, një shqiptar sot 55-vjeçar, lejohet të qëndrojë në Zvicër.

Rreth dy vjet më parë, atëherë 53-vjeçari kishte trembur njerëzit në qendër të qytetit Biel/Bienne: ai kishte goditur me thikë një të moshuar pranë filialës së Migros-it në Kreuzplatz. I goditur mezi kishte mbijetuar, transmeton albinfo.ch.

Dorasi qe arratisur por duke vazhduar të tundte thikën e përgjakur dhe të trembte kalimtarët – derisa policia e ndaloi.

Gjykata rajonale Bernë-Jura-Seeland e pati shpallur atë të papërgjegjshëm penalisht në fillim të prillit dhe pati  urdhëriar një masë kujdesjeje stacionare, shkruan bieletragblatt.ch.

Ky vendim u la në fuqi sot nga gjykata më e lartë, përcjell albinfo.ch. Autori ndodhet në paraburgim në burgun e Thunit që prej vitit 2019.

Por, me vendimin e ri, i dënuari duhet ta bëjë terapinë në një klinikë psikiatrike. Nga ana tjetër, ndryshe nga gjykata e rajonit,  gjykata e lartë vendosi që shqiptari të mos largohet nga Zvicra pas mbarimit të masës spitalore. Gjykata Rajonale, më parë kishte vendosur dëbimin e tij nga Zvicra për dhjetë vjet, përcjell albinfo.ch. Por kjo masë tani është hequr nga gjykata e lartë.