Të tjera
Aeronautika e Kosovës mbetet pa kampionin e saj Hizdri Gutetini
Ai në vitet e 90-ta, pati punuar në Biasca të Zvicrës. Këtu edhe e pati perfeksionuar zanatin në gdhendje dhe dekorim me gurë
Derisa po flinte në stanet e Dellofcit të Therandës, ka ndërruar jetë Hizri Halit Gubetini, kampion i Republikës së Kosovës në aeronautikë.
Ai gjatë ditës në këto stane kishte bërë mozaik me gurë të gdhendur, punë kjo në të cilën ai ishte i specializuar.
Gubetini 44 -vjeç deri në çastet e vdekjes nuk kishte pasur ndonjë shqetësim me shëndetin.
Sipas pohimeve të mjekëve vdekja e tij e papritur është vdekje e natyrshme.
Adhuruesit e paragllajdizmit sport ky i ri në vendin tonë Hizdri Gubetinin, e njohin në bazë të arritjeve të tij të shkëlqyera, si në garat e nivelit kombëtar, ashtu edhe në ato të zhvilluara në arenën ndërkombëtare.
Më 24 tetor të këtij viti Hizriu në Festivalin Ndërkombëtar të Turqisë “Oludeniz Air Games 2021” pati zënë vendin e parë, duke lënë pas vetes aeronautistët më të njohur të 55 vendeve të botës.
Me këtë sport atraktiv Gubetini është marrë që nga viti 2000. Ai ishte fitues i shumë çmimeve në vend dhe jashtë tij.
Hizdriu ka fituar shumë medalje, duke thyer rekordet e më hershme në garat e zhvilluara në Kosovë, Shqipëri, Slloveni, Turqi, Bullgari, Qipro, Serbi dhe Maqedoni të Veriut.
Si pilot profesionist në Federatën Aeronautike të Kosovës, ka kryer edhe detyrën e instruktorit. Mbresëlënëse për te dhe për të gjithë të pasionuarit e fluturimeve në lartësitë mbi tremijë metra ishin akrobacionet e tij të pandërprera, pesë orë me radhë mbi malet e Moknës, të komunës së Burimit, ish-Istogut.
Po ashtu fluturime për t’u mbajtur gjatë në mend janë edhe ato të realizuara në Berat dhe Llogara të Shqipërisë, si dhe ai në Prilep të Maqedonisë së Veriut.
Prandaj, lajmi mbi vdekjen e hershme të Hizriut, përveç në familjen dhe farefisin e tij u prit me pikëllim dhe u përjetua rëndë edhe në Federatën Aeronautike të Kosovës, dhe në atë të Shqipërisë.
Ismet Krasniqi, kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës, nëpërmjet një telegrami ka ngushëlluar familjen Gubetini, duke e cilësuar vdekjen e papritur të Hizdriut, si një humbje që vështirë kompensohet.
Ëndrrën drejt një suksesi të ngjashëm me atë në Turqi, Hizdriut ia ndërpreu vdekja e fshehtë dhe tinëzare.
Ai planifikonte edhe thyerjen e rekordeve tjera në Garat Botërore të Aeronautikës, që në vitin 2024, do të organizohen në Bullgari.
Në listat e Federatës Botërore të Aeronautikës, Hizdriu është pozicionuar në vendin e 17-të, ky një sukses për t’u lakmuar edhe nga vende me traditë të gjatë në këtë fushë.
Mbase dikujt i duket e pabesueshme por Hizriu, edhe pse në kushte tejet të rënda të punës këtë sport e donte me shpirt.
Ai me fluturaken e marrë me qira u stolis me medalje të artë në Festivalin e sivjetmë Ndërkombëtar të Aeronautikës në Turqi.
Përvojën e tij të gjatë në pilotim dëshironte ta praktikonte edhe në Forcën e Sigurisë së Republikës së Kosovës, por një gjë e tillë nuk iu mundësua asnjëherë.
Gubetini ishte tepër i kujdesshëm në menaxhimin e ekonomisë familjare. Ai në vitet e 90-ta, pati punuar në Biasca të Zvicrës. Këtu edhe e pati perfeksionuar zanatin në gdhendje dhe dekorim me gurë.
Me të hollat e kursyera nga kjo punë ai pati ndërtuar një shtëpi të bukur në Bardhosh të komunës së Prishtinës.
Me punën nga ky zanat Hizdriu e mbante edhe familjen, sepse në as një rast atij nuk iu ofrua ndonjë vend i punës me orar të plotë në institucionet e Kosovës. Krahas aeronautikës ai e adhuronte jashtë mase edhe hortikulturën. Në kopshtin e tij përveç zarzavateve dhe pemëve kishte edhe shumëllojshmëri lulesh, që secilin që kalonte atypari e tërhiqte aroma e tyre e këndshme.
Mungesën e njerëzve të vyeshëm e me vlera si Hizdriu, e konceptojmë vetëm atëherë kur vërejmë boshllëkun dhe zbrazëtin që ata lënë pas.
Gubetini që respektohej nga të gjithë sportdashësit e vendit tonë, kishte shokë e miq të shumtë edhe në komunitetin e artistëve të Kosovës.
Ai kureshtjen e tyre shpeshherë e shuante duke fluturuar së bashku me ta, mbi qiellin e hapur të Kosovës dhe Shqipërisë.
Andaj, sot varrezave të vjetra të Podujevës, që gjenden pranë lagjeve Bebushaj dhe Visoka, ua mësynë qindra njerëz, ku i dhanë lamtumirën e fundit kolegut dhe mikut të tyre Hizdri Gubetini.
Hizdriu prej sot do të prehet pranë nënës së tij Nurijes, e cila vdiq vitin që shkoi në luftë me Covid 19-të.
Ai pas vetes ka lënë bashkëshorten Nafijen dhe dy djemtë Almirin 18 dhe Ensarin 14 vjeç.
Me gjithë dhembjen e madhe familja Gubetini nga Llapi, duhet të ndihet përherë krenare me djalin e saj pilot të dalluar dhe njeri me virtyte të lata!
Hizdriu që na bëri kudo krenar si shpërblim nga Perëndia, e pastë parajsën!
ARIF EJUPI
E-Diaspora
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri? Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, tha se janë krijuar kushtet e...
-
Kurti mban fjalim në forumin ekonomik Zvicër-Kosovë, flet për “partneritet të fuqishëm”
-
Arbër Bullakaj, në krye të nismës për lehtësimin e natyralizimit të të huajve
-
Ariana Qizmolli, me pjesën “Kërce pak”, në festivalin e vallëzimit, në Winterthur
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake
Jeta në Zvicër
-
Më shumë se 640,000 fishekë snajperësh zviceranë thuhet se kanë shkuar në Ukrainë Municione snajperi nga kompania zvicerane P Defence thuhet se kanë mbërritur në Ukrainë në korrik 2023...
-
Kaosi i SBB i frustron udhëtarët: “Ka komunikim zero”
-
Bora paralizon qarkullimin në shumë vende në Zvicër
-
Bazeli do të votojë mbi koston e organizimit ‘blasfemik’ të Eurovizionit 2025
-
Zvicra mbetet kampione evropiane në hekurudha