Lajme

Protesta në Europë kundër masave të reja anti-covid

Disa mijëra persona marshuan të shtunën në Utreht të Holandës kundër masave kufizuese qeveritare ndaj koronavirusit.

Qeveria vendosi një bllokadë të pjesshme 3 javë më parë, në kuadër të të cilës baret, restorantet dhe vende të tjera publike, përfshirë dyqanet, duhet të mbyllen në orën 5 të pasdites.

Ndërkohë, rreth 1.200 forca policie u vendosën në Vjenë, ku u kryen edhe arrestime të shumta për rezistencë ndaj autoriteteve. Këto të fundit hoqën objekte që bllokonin rrugët dhe përdorën spraj djegës për të shpërndarë turmën.

Mijëra protestues kundër vaksinimit manifestuan në qendër të Barcelonës ndaj futjes në fuqi të pasaportave anti-COVID në rajonin autonom spanjoll të Katalonjës.

Ligji për virusin hyri në fuqi të shtunën, pasi gjykatat autorizuan një kërkesë të bërë nga pushteti lokal.

Disa mijëra qytetarë, mes të cilëve punonjës të shëndetësisë demonstruan në rrugët e Parisit dhe përpara Ministrisë së Shëndetësisë për të kërkuar dhënien fund të bllokimit të shtretërve në spitalet publike, si dhe për kushte më të mira pune.

“Ajo që na duhet është një ndalim i menjëhershëm i bllokimit të shtretërve”, deklaruan manifestuesit.