Kosova
Një interniste e suksesshme shqiptare në spitalin gjerman
Mjekja e specializuar shqiptare nga Bayerni tregon për revistën Albinfo.ch punën e saj si interniste, jetën, sfidat, migrimin dhe ambiciet e saj për të ardhmen
Fitorja është një vajzë e thjeshtë, e çiltër, pozitive dhe shumë e dashur për stafin mjekësor në Gjermani dhe për pacientët që ajo i trajton. Ajo ka zgjedhur të ushtrojë një profesion bukur të vështirë, por nga motivi dhe intelegjenca që zotëron, për të është thjesht një bekim që i është dhënë.
Fitore Neziri është mjeke në specializim e sipër në shtetin gjerman. Ajo punon dhe njëkohësisht specializon në klinikën “HochFranken” në Bayern të Gjermanisë, shkruan albinfo.ch.
Pa dyshim biografia e saj është njëra ndër historitë e suksesit të diasporës sonë në fushën e mjekësisë.
Jeta e vështirë dhe sfidat që i solli Kosova
Fitorja ka lindur në fshatin Trestenik të Pejës, aty edhe ku përfundoi shkollën fillore. Ajo tregon për Albinfo.ch se jeta në fillimet e saj nuk ishte fare e lehtë për shkak të gjendjes financiare.
“Në përgjithsi jetesa dhe shkollimi s’ka qenë aspak i lehtë për shkak të gjendjes financiare që ishte menjëherë mbas luftës. Në atë kohë prindërit kanë qenë të papunë dhe, e them troç, ishte ndër kohët më të vështira, pasi që ishim 5 fëmijë në familje duke u shkolluar. Normalisht, shkollimi kërkon edhe të holla dhe më kujtohet gjatë kohës sa isha nxënëse në gjimanz, secili nga ne ka pasur një buxhet të vogël për një javë dhe është dashur të koordinohemi si fëmijë si t’ia dalim mbanë me ato pak para që kishim për të udhëtuar në shkollë”, tregon ajo.
Pavarësisht sfidave jo të lehta që kishte Fitorja sa ishte fëmijë, me të rritur motra dhe vëllai i saj, u punësuan dhe kjo bëri më të lehtë jetën e saj, që të studiojë tutje për të arritur qëllimet e saj si një doktoreshë e denjë.
“Fakulteti ka qenë pak më lehtë, pasi që motra e vëllai i madh u punësuan dhe na përkrahën për studime të gjithë fëmijëve që ishim pas tyre. Më duhet ta them se jam përjetë falënderuese për ta dhe për përkrahjen dhe punën e palodhshme të prindërve që ne të arrijmë suksese”, shprehet ajo.
Studente bursiste për vite me radhë
Nga jeta që i ofroi qyteti i Pejës, po fillonte një epokë tjetër për Fitoren, duke nisur fillimet e saj në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, që si ëndërr kishte fushën e mjekësisë.
Fitorja nisi studimet në Prishtinë, drejtimi “Mjekësi e Përgjithshme”, duke përfunduar provimet në kohë rekord, dhe u dekorua me titullin “Doktor i Mjekësisë” në vitin 2015.
“Më duhet ta them se studimet definitivisht ishin koha më e mirë e jetës time. Çdo ditë e studimeve ishte një synim i ri, një kënaqësi dhe ambicie në vete, se një ditë do të kem mundësi t’u ndihmoj njerëzve që kanë probleme shëndetësore. Çdo vit kam përfunduar studimet në afat rekord dhe me notë mesatare mbi nëntë, për këtë arsye çdo vit (6 vjet) kam qenë përfituese e bursës universitare”, tha ajo.
Gjermania, pikënisja e specializimit për interniste
Fitorja pasi përfundoi studimet, shihte mundësitë e vogla për shumë arsye të një spezializimi të mirëfilltë në Kosovë, andaj vendosi të emigrojë në Gjermani, për të nisur specializimin në klinikën “HochFranken”, me seli në Bayern.
“Në fillim kam ardhur me vizë turistike (3 mujorëshe), në këtë kohë kam bërë disa hospitime dhe intervista në spitale të ndryshme dhe një kohë kam mësuar gjuhën gjermane. Ndërkohë, kam bërë kontratë me spitalin, ku edhe sot punoj. Po prapë më është dashur të kthehem në Kosovë dhe të aplikoj për vizë pune, që më mori kohë”, tha ajo.
Pasi fitoi vizën e punës, ardhja në Gjermani si mjeke ishte e vështirë për Fitoren për shumë arsye. Por ndihma dhe përkrahja e mjekëve në klinikën gjermane e ndihmoi që ajo të ambientohet më lehtë në atë rreth shoqëror.
“Sinqerisht puna si mjeke realisht ka qenë në fillim e vështirë dhe kërkonte angazhim maskimal, si për problemet me gjuhën, pastaj edhe ndryshimeve në sistemin mjekësor, që në fakt, ishte shumë më ndryshe se në Kosovë. Por, përkrahja nga mjekët këtu ka qenë e madhe dhe gjithmonë në gatishmëri për mua”, shprehet Fitorja.
Specializimi i ndihmoi shumë në formimin e saj intelektual për fushën e mjekësisë si interniste dhe tani çdo ditë e punës për Fitoren është një kënaqësi në vete.
“Gjatë kësaj kohë të spezializimit kam mësuar shumë si një interniste dhe tani puna në klinikë nuk është më aspak e vështirë, realisht çdo ditë është kënaqësi të jesh pjesë e një klinike dhe e një ekipi mjekësor. Në përgjithësi, njerëzit këtu janë të arsyeshëm dhe shoqëror dhe më bëjnë të ndihem si në shtëpinë time. Unë tash jam në vitin e katërt të specializimit për “Mjekësinë Interne”, ka mbetur edhe një vit që të përfundoj specializimin”, bën të ditur ajo për albinfo.ch.
Çka pas specializimit?
E pyetur nga Albinfo.ch se çka pas specializmit, Fitorja tregon se aktualisht po ndihet mirë dhe komode me punën që bën në Gjermani, por dëshira e madhe është që t’i kontribuojë edhe vendlindjes.
“Me të vërtetë, shumë e vështirë të them se çfarë do të bëj, tani po ndihem shumë mirë me mundësitë e punës këtu, po dëshira është definitivisht që të kontribuoj edhe për popullin tim. Ëndërra ime më e madhe është që me njohuritë e mia si interniste t’u ndihmoj njerëzve të mi, që secili person të ndihet i sigurt mbi diagnozën dhe terapinë që do t’i jepet”.
Gjatë intervistës Fitorja është pyetur edhe për dallimet mes trajtimit të pacientëve që u bëhet në Kosovë dhe Gjermani, mbi përvojën që ajo ka, e cila shprehet se ka dallime të mëdha.
“Unë dua të besoj që në Kosovë ka internistë shumë të mirë, që bëjnë edhe trajtime të mira e të mirëfillta. Një problem i madh është pa dyshim mundësia e diagnostikimit, po ashtu edhe të trajtimit. Një pacient në Gjermani nuk ka nevojë të mendojë se sa do t’i kushtojë diagnostikimi, e më e mira sa do të duhet të paguajë terapi për shërim, gjë që ndodh në Kosovë. Të gjitha këto e bëjnë diagnostikimin e sëmundjeve, e në fund edhe shërmin shumë më të dobët në Kosovë, gjë që ndodhin edhe shume gabime, fatkeqësisht.
Tutje, Fitorja tregon se në Kosovë shumë shpesh ka mungesë të aparaturave të fundit për trajtimet e zemrës dhe, në një mënyrë, shumë sëmundje edhe nuk diagnostikohen, sepse pacienti ndonjëherë trajtohet vetëm në bazë të simptomave, gjë që është shumë gabim dhe e dëmshme për pacientë në përgjithësi.
“Me pak fjalë, mendoj se sigurimet publike shëndetësore në Kosovë do të ishin mundësia më e mirë për fillimin e një shëndetësie të mirëfilltë në Kosovë”, tregon ajo.
“Kosovën e dua më shumë se çdo vend tjetër”
Sa herë që i përmendet vendlindja Fitores, e bën të emocionuar dhe me lotë në sy, e ka shumë të vështirë të përshkruajë mallin për vendin, familjen dhe shoqërinë.
“Më merr shumë, shumë, malli për vendlindje. Jam pa dyshim falënderuese ndaj Gjermanisë, sepse më ofroi shumë, por gjithsesi, Kosova është vendlindja ime, e dua më shumë se çdo vend tjetër. Familja është gjëja kryesore që më mungon. Dhe, në fakt, kjo e bën që unë të paktën tri herë në vit të vizitoj vendlindjen time”, përfundon Fitorja. /Albinfo.ch
Biografi e shkurtë:
- Emri e mbiemriFitore Neziri
- Prejardhja:Pejë
- Vendi ku vepron:Gjermani
- Profesioni:Mjeke e specializuar
Të ngjashme
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Frankfurt: Agnesa Kolica, fituese e “Çmimit për Integrim” Ky çmim është një shembull i shkëlqyer për diasporën tonë...
-
Gjermani: Festohet 112-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë
-
Një yll në ngritje: Fiona, sopranoja e verbër, me zë brilant
-
Londër: Shënohet 112-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë
-
Pesë gjeodetë nga Kosova magjistrojnë në Vjenë
Jeta në Zvicër
-
Gjermania lëviz për ta bërë jetën më të lirë për blerësit nga Zvicra Ndërsa rregullat e reja zvicerane do t'i bëjnë blerjet ndërkufitare më pak fitimprurëse për njerëzit nga...
-
I kanë marrë priftit 300 mijë franga, me mashtrim: Dënohen dy kosovarë
-
Zvicër: Më shumë fuqi vjen nga dielli
-
Nesër, në Cyrih, protestë e heshtur kundër paraqitjes së Vuqiçit në Zvicër
-
Realizimi i pagës minimale të planifikuar në Cyrih ballafaqohet me pengesa