Lajme
Pas “kaosit” politik në Austri, Karl Nehammer pritet të jetë kancelari i ri
Partia Popullore e Austrisë të premten e emëroi kryetar partie dhe kandidat për kancelar, ministrin e deritashëm të Punëve të Brendshme, Karl Nehammer
“Turbulencat” politike në Austri duket se tashmë janë qetësuar. Partia në pushtet ÖVP u godit rëndë të enjten në mëngjes kur lideri i saj, Sebastian Kurz, njoftoi dorëheqjen nga të gjitha postet politike, shkruan albinfo.at.
Ky vendim nuk e goditi vetëm partinë më të madhe në Austri, por edhe qeverinë, të cilën Kurz e udhëhiqte deri në muajin tetor. Për shkak të një skandali për korrupsion, Kurz u detyrua të lirojë postin e kancelarit, e më pas edhe të funksioneve të tjera në politikë.
Vetëm pak orë më vonë, të njëjtin veprim e bëri edhe pasardhësi i Sebastian Kurz-it, Alexander Schallenberg, i cili drejtoi qeverinë austriake për 52 ditë. Vala e dorëheqjeve vazhdoi edhe në mbrëmje me ministrin e Financave, Gernot Blümel. Ndërkohë të premten dorëheqje dha edhe ministri i Arsimit, Heinz Fassmann.
Kur Austria pritej të shkonte në zgjedhje të reja, duket se në vend të zgjedhjeve, gjendet një zgjidhje. Të paktën kështu do të jetë deri në pranverë, raporton albinfo.at
Partia Popullore e Austrisë të premten e emëroi kryetar partie dhe kandidat për kancelar ministrin e deritashëm të Punëve të Brendshme, Karl Nehammer. “Dëshiroj të njoftoj se sot jam emëruar në mënyrë të njëzëshme nga udhëheqësia e Partisë Popullore si kryetar partie dhe njëkohësisht kandidat për kancelar”, tha Nehammer para gazetarëve.
Me ardhjen e Karl Nehammer kancelar, partia në pushtet do të riorganizojë edhe kabinetin qeveritar. Disa emra të rinj do të zëvendësojnë ministrat e larguar, kurse disa të tjerë do të kthehen në postet e kaluara. Një gjë e tillë nuk do të ndodhë me ministrat e partnerit qeveritar, nga Partia e Gjelbër.
Me Karl Nehammer kancelar, postin e Ministrisë së Brendshme do ta marrë Gerhard Karner, i cili prej 18 vjetësh është deputet në Parlamentin austriak. Ish-kancelari Alexander Schallenberg thuhet se do të rikthehet në postin e Ministrisë së Jashtme, ndërkohë ministri aktual, Michael Linhart, do të vendoset sërish në vendin e punës së tij, si ambasador në Paris.
Pas dorëheqjes së Blümel, ministër i ri i Financave do të jetë Magnus Brunner, një emër i respektuar në opinionin publik në Austri. Ndryshime pritet të këtë edhe në Ministrinë e Arsimit. Në vend të Heinz Fassmann, Ministrinë e Arsimit do ta marrë përsipër Martin Polaschek. Ai ka doktoruar në Juridik dhe ka qenë rektor i Universitetit Karl – Franzens në Graz.
Ministrat e tjerë do të vazhdojnë punën në postet e tyre që kanë deri tash.
Tani i përket presidentit të Austrisë, Alexander Van der Bellen, që ta pranojë nominimin e Nehammer-it dhe ky i fundit të betohet, por kjo procedurë është kryesisht formalitet dhe pritet të ndodhë gjatë javës së ardhshme.
E-Diaspora
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës Nga Neymar te Tripleksi më i Shtrenjtë në Botë: Historia e Investimeve që Ndërtojnë Standarde të...
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
Jeta në Zvicër
-
Ndjekjet penale dhe falimentimi: Rritje e rrezikut për të vetëpunësuarit nga viti 2025 Që nga 1 janari i vitit 2025, pretendimet e së drejtës publike kundër personave të regjistruar...
-
A duhet të bëhen të detyrueshme gomat e dimrit në Zvicër?
-
SBB pret fitim të njëjtë si vitin e kaluar
-
Shumë pista skijimi në Zvicër kanë hapur sot dyert
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës