Lajme

Kurz i jep lamtumirën politikës

Mediat austriake shkruajnë për braktisjen politike të Sebastian Kurz, ish-kancelar i shtetit të Austrisë, transmeton albinfo.ch.

Thuhet se Sebastian Kurz po përgatitet të braktisë përfundimisht politikën dhe lajmin e jep gazeta “Kronen Zeitung”.

Vetë Kurz shprehej se moment vendimtar ishte lindja e të birit, ndërsa postin e drejtuesit të qeverisë austriake ia kaloi Alexander Schallenberg-ut. Ndonëse hezitoi në fillim, presioni i partnerëve të koalicionit e detyroi të ndryshonte mendje.

Me largimin si kancelar, Sebastian Kurz zgjodhi të mbante drejtimin e partisë popullore OEVP, duke u bërë shef i grupit parlamentar, e tashmë pritet të japë lamtumirën e mund të zëvendësohet nga Karl Nehammer, ministër i Brendshëm.

Ndërkaq, dorëheqja si kancelar pason një skandal korrupsioni lidhur me parregullësi në financimin me fonde publike të disa sondazheve që favorizonin forcën e tij politike.

Të Gjelbërit, pjesë e koalicionit qeverisës, kërkuan zëvendësimin e Kurz-it me një person më të përshtatshëm. Rasti ngjalli shumë debate në Austri për favorizimin e forcës në pushtet me artikuj e sondazhe të manipuluar, për më tepër të blerë me para’ publike. Fillimisht, Kurz bëri rezistencë e deklaroi se akuzat ndaj tij janë të rreme, por më pas u detyrua të japë dorëheqje nga postet e marra në 2017-ën.