E-Diaspora
Halil Alidema, një personalitet i lënë padrejtësisht në harresë
Më 28 Nëntor, në Konsullatën e Kosovës në Cyrih u promovua libri “Halil Alidema, jeta dhe veprimtaria”. Me këtë rast u evokuan kujtime mbi veprimtarin e shquar
Kujtimi i veprimtarisë së bujshme të një veprimtari të rënë padrejtësisht në harresë, Halil Alidemës ka bërë bashkë në Konsullatën e Kosovës në Cyrih një numër bashkëveprimtarësh, familjarësh dhe njohësish të tij. Takimi është mbajtur pikërisht më 28 Nëntor, në ditën e pavarësisë së shtetit shqiptar.
Në këtë datë aty u bë promovimi i monografisë “Halil Alidema, jeta dhe veprimtaria”, me autor Prof.Dr. Hysen Matoshin, shkruan albinfo.ch. Por, më shumë se kaq, u evokuan kujtime dhe u hodh dritë mbi intelektualin dhe patriotin e guximshëm, i cili ka ikur nga kjo jetë plot 25 vjet më parë.
Konsullja, Shukrije Ramadani e cila njëherësh ishte në rolin e moderatores së takimit, ka bërë një prezantim të shkurtër të personalitetit poliedrik të Halil Alidemës. Ndërsa, me një fjalë të shkurtë, të pranishmit i ka përshëndetur edhe shefi i Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih, Sami Kastrati.
Në pamundësi për të qenë fizikisht në tubim, fjalët e tyre kushtuar figurës së Mr. Halil Alidemës i kishin dërguar si video, autori i librit, Hysen Matoshi dhe dy bashkëveprimtarët e Alidemës, Sherif Konjufca dhe Daim Iseni.
Të tre folësit, secili nga këndi i vet i njohjes me protagonistin e shquar të lëvizjes sonë kombëtare, kanë hedhur dritë mbi veprimtarinë e tij. Pika në të cilën janë bashkuar ata, ka qenë rënia (pothuajse) në harresë e kontributit të madh që Alidema ka dhënë në rreth 40 vite veprimtari patriotike. Ata po në këtë kontekst kanë kritikuar institucionet e larta të Kosovës për neglizhimin me ose pa qëllim, të punës së madhe patriotike të Halil Alidemës. Në këtë vazhdë, nga ky tubim lindi edhe iniciativa që të jepet propozimi në presidencë, për shpalljen e Halil Alidemës, Hero të Kosovës.
Prof. Dr. Hysen Matoshi, në cilësinë e autorit të librit, në fjalën e tij ka vënë theksin në rolin e dorës së parë që Halil Alidema, si intelektual i guximshëm ka luajtur në lëvizjen kombëtare të viteve 80-90 të shekullit të kaluar. Sipas tij, Alidema bën pjesë në numrin e vogël të intelektualëve që kanë pasur guximin të solidarizoheshin me kërkesat e studentëve dhe popullatës, në demonstratat e vitit 1981, të cilat do të bëheshin ngjarje kthesë në historinë tonë të re. Për shkak të aktivitetit të tij patriotik dhe ekspozimit në mbështetje të kërkesave të demonstratave, ai arrestohet dhe dënohet me burg shumëvjeçar, në grupin e quajtur “të intelektualëve”. Në këtë grup, gjykimi i të cilit pati bërë bujë asokohe, bënin pjesë edhe Ukshin Hoti, Ekrem Kryeziu, Mentor Kaçi , Shemsi Reçica, Ali Kryeziu etj.
Sherif Konjufca në fjalën e tij është përqendruar më shumë në evokimin e Alidemës si themelues i Unikombit, parti që pa ekuivokë, kërkonte bashkimin kombëtar të shqiptarëve, shkruan albinfo.ch. Halil Alidema kishte kuptuar me kohë se lufta do të ishte e pashmangshme për çlirimin e vendit prandaj ai kërkonte rrugë për të përgatitur popullin për luftën që patjetër do të vinte. Dhe, ai nuk kishte qëndruar duarkryq në këtë drejtim. Përkundrazi, siç e kanë theksuar edhe folësit tjerë, Halil Alidema kishte meritat për trajnimin e qindra shqiptarëve të Kosovës në kazermat ushtarake të Shqipërisë, ku ai ishte vendosur në vitet e fundit të jetës së tij.
Për Halil Alidemën si veprimtar i shquar dhe drejtues i Unikombit ka folur edhe Daim Iseni. Ai ka vënë theksin në guximin dhe largpamësinë e të përmendurit në kohën kur ky guxim i mungonte shumëkujt në skenën politike të Kosovës së asaj kohe. Ai ka evokuar momente nga bashkëpunimi i tyre në strukturat e Unikombit, parti që nuk njihte kufijtë artificialë ndërmjet shqiptarëve. Edhe sipas Isenit, lënia në harresë e veprës së Alidemës nga institucionet e Kosovës e më gjerë përbën një gabim dhe nonsens.
Daim Iseni ka thënë se autor i tezës së njohur për “mbrojtjen e pragut të shtëpisë”, aq të përfolur në vitet `90, ka qenë pikërisht Halil Alidema, i cili, sipas tij agjitonte haptas për luftën për çlirim të Kosovës nga Serbia.
Krahas asaj për çfarë njihet më shumë, veprimtarisë patriotike pra, Alidema është shquar edhe si poet mjaft i talentuar ndërsa në rininë e tij ka qenë edhe hendbollist i dalluar në Kosovë. Si dëshmi për prirjen e tij të shquar për poezi, gjatë promovimit, janë deklamuar një numër poezish, nga aktori Ramadan Morina. Krahas preokupimit të dukshëm dhe të kuptueshëm me kauzën çlirimtare, vargjet e tij i shquan edhe mbindërtimi solid artistik dhe një muzikalitet i theksuar.
Po ashtu, gjatë shkëputjeve mes leximeve, është dhënë edhe një përmbledhje e intervistave të dhëna nga Alidema për shtypin shqiptar dhe të huaj, në fillim të viteve `90. Në këto intervista spikat sidomos nervi intelektual i tij dhe elokuenca e lartë në paraqitjen e fakteve në shërbim të kauzës së kombit.
Në vazhdim, në mesin e të pranishmëve është zhvilluar një debat i gjallë me sekuenca nga kujtimet e pjesëmarrësve, kryesisht bashkëpunëtorë ose njohës të Halil Alidemës. Përmes kujtimeve të tyre hodhën dritë mbi jetën dhe veprën e tij, aktivistë të asaj kohe dhe bashkëveprimtarë, si: Have Shala-Gërguri, Osman Osmani, Safet Sadiku, Hamëz Morina, Agim Paçarizi etj. Ata evokuan kujtime nga kontaktet e drejtpërdrejta dhe të tërthorta, në kohë të ndryshme me protagonistin e librit që u promovua. Kështu, Agim Paçarizi, Osman Osmani e Hamëz Morina e njihnin atë që nga vitet `70 të shekullit të kaluar dhe kishin pasur pikëpjekje me të edhe deri në fund të jetës së tij. Ndërsa Have Shala-Gërguri mund të fliste për shëmbëlltyrën e Halil Alidemës sidomos gjatë aksionit të Pajtimit të Gjaqeve, në vitin 1990, njëra ndër iniciatorët e të cilit ishte edhe ajo.
Safet Sadiku, nga ana tjetër ka folur për periudhën e fillimit të viteve `90 kur ai ishte përgjegjës për media në zyrën e Unikombit në Tiranë, që udhëhiqej nga Alidema. Sadiku është shprehur i zhgënjyer nga neglizhimi që i është bërë rolit të Halil Alidemës nga institucionet por në një mënyrë edhe nga bashkëveprimtarët e tij, të cilët në kohë të ndryshme pas luftës, kanë qenë afër autoriteteve vendimmarrëse. Ai ka treguar edhe hollësi nga bashkëpunimi i ngushtë me të në një kohë shume të vështirë për Shqipërinë, çfarë ka qenë koha e fillimit të viteve `90.
Të gjithë pjesëmarrësit në debat kanë vlerësuar lartë edhe rolin e bashkëshortes dhe bashkëveprimtares së Alidemës, Teuta Kryeziu-Alidema. Ajo, sipas tyre, ka qenë dorë e djathtë e tij gjatë gjithë veprimtarisë patriotike.
Në përmbyllje, me një fjalë falënderimi është drejtuar vajza e Halil Alidemës, Lendita Alidema Kokolari, e cila jeton në Zvicër. Ajo ka thënë se ndjehet e përmbushur me nderimin që po i bëhet shëmbëlltyrës së babait të saj, përmes këtij aktiviteti, për organizimin e të cilit ka falënderuar Konsullatën e Kosovës në Cyrih dhe në veçanti, konsullen, Shukrije Ramadani.
E-Diaspora
-
Abdixhiku aludon se nga mbi 100 mijë të regjistruar për votim nga diaspora, 40 mijë janë mbështetës të LDK-së Kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku përmes një postimi në Facebook ka thënë se deri më tani...
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
-
Personalitetet Shqiptare të vitit 2024, në numrin më të ri të revistës albinfo.ch
-
Granit Xhaka është pjesë e formacionit më të mirë të vitit në Bundesliga
-
Përfundojnë pritjet në kufirin Kroaci-Serbi
Jeta në Zvicër
-
Gjeneva aktivizon planin e saj të akomodimit emergjent Ndërsa moti i ftohtë pritet të arrijë në ditët në vijim, Qyteti i Gjenevës do të...
-
Reshjet e fundit të borës nxisin fluksin turistik në Zvicër
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
-
Personalitetet Shqiptare të vitit 2024, në numrin më të ri të revistës albinfo.ch
-
Cilat destinacione do të kushtojnë më shumë nga Zvicra