Shqipëria

Ngjarje e rëndë në Shqipëri: Rrëmbeu dhe groposi fëmijën në Fier

Klodian Çalamani është arrestuar nga Policia e Fierit, pasi dyshohet se është personi që ka rrëmbyer dhe më pas vrarë të miturin 8-vjeçar, i cili ishte i zhdukur ditën e sotme.

38-vjeçari nuk është një emër i panjohur për drejtësinë. Rezulton se në vitin 2012, në bashkëpunim me shtetasin Florian Vasiu, ai mori peng dhe torturoi për 20 minuta një fqinje në moshë të mitur.

Ngjarja ndodhi në fshatin Grecalli të rrethit të Fierit, ndërsa shkak i kësaj ngjarjeje ka qenë ngacmimi i përsëritur i Florianit ndaj vajzës atëherë 16 vjeçe, e cila ndiqte vitin e dytë në gjimnazin “Perikli Ikonomi” në Fier, raporton TCH, përcjell Albinfo.ch.

Bezdisjet e herëpashershme që Floriani kishte kryer ndaj 16-vjeçares N.R., ishin vërë re rastësisht nga i dashuri i saj, E.N. nga Fieri, i cili e ka takuar të dënuarin dhe i ka thënë që të mos e shqetësonte më. Në këtë kohë ka ndërhyrë i Klodian Çalamani dhe i ka ndarë. Floriani dhe Klodiani, duket se kanë planifikuar ndëshkimin e fqinjës së tyre të mitur, duke e kërcënuar se do t’ia shëmtonin pjesë të ndryshme të trupit të saj, pikërisht gjoksin, duke ia prerë me biçak.

Nga hetimet e Prokurorisë së Fierit në atë kohë rezultoi se për të arritur qëllimin e tyre, një prej të dënuarve, Klodiani, ka kërcënuar edhe motrën e tij, E. Çalamani, e cila është përdorur për të futur në kurth adoleshenten.

Në atë kohë, dy të rinjtë u dënuan nga Gjykata e Fierit, me nga katër vjet burgim për veprën penale të heqjes së lirisë të kryer në bashkëpunim, bazuar në nenin 110/2 të Kodit Penal.