Lajme

Pfizer do të japë licencën për prodhimin e pilulës anti-Covid

Gjiganti farmaceutik ‘Pfizer’ ka rënë dakord të ndajë licencën e prodhimit të medikamentit të vet anti-COVID, çka do të bëjë të mundur prodhimin e tij në më shumë vende të botës.

Është një marrëveshje që kompania thotë se mund t’i japë më shumë se gjysmës së popullsisë së botës qasje ndaj trajtimit, edhe pse ‘Pfizer’ kundërshton thirrjet për t’u dhënë vendeve më të varfra akses në formulën e saj të vaksinës së coronavirusit.

Kompania tha më herët gjatë këtij muaji se medikamenti, i quajtur ‘Paxlovid’, zvogëlon rrezikun nga shtrimi në spital dhe vdekja për shkak të COVID-19 në masën 89 për qind nëse përdoret brenda 3 ditëve nga shfaqja e simptomave, transmeton Euronews, përcjell Albinfo.ch.

Ky medikament ende nuk ka marrë aprovim për përdorim në SHBA, por ‘Pfizer’ thotë se do të kërkojë autorizimin nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave sa më shpejt të jetë e mundur

“Licenca është shumë e rëndësishme nëse aprovohet, sepse ky medikament oral është i përshtatshëm për vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme dhe mund të luajë një rol thelbësor në shpëtimin e jetëve dhe kontribut global në luftën ndaj pandemisë”, thotë Charles Gore, drejtor ekzekutiv i ‘Medicines Patent Pool’, grupi jofitimprurës që arriti marrëveshjen me ‘Pfizer’.

Më herët “Pfizer” deklaroi se i ndërpreu testet e mëtejshme pasi rezultatet e para ishin pozitive. Ilaçi i saj është projektuar të bllokojë një enzimë që i duhet virusit në mënyrë që të shumëfishohet. Ajo merret dy herë në ditë për 5 ditë rresht.