Kosova
Nurkollari: 2021 po dëshmohet si “Viti i madh”, historik i filmit kosovar
Veton Nurkollari, në cilësinë e bashkëkuratorit dhe anëtarit të jurisë, flet për pjesëmarrjen e filmit kosovar në Festivalin e Filmit të Shkurtër, në Winterthur
Festivali i Filmit të Shkurtër në Winterthur, Zvicër, ku po marrin pjesë 20 filma nga Kosova, po i afrohet fundit. Ky është festivali më i rëndësishëm në Zvicër për këtë kategori filmash prandaj, pjesëmarrja e Kosovës në kategorinë e “Vendit në fokus” për këtë vit, është një nderim që i bëhet vendit më të ri evropian, shkruan albinfo.ch.
20 filma të prodhimit kosovar janë ndarë në katër programe dhe ata janë shfaqur kryesisht nga dy herë, gjatë këtyre 6 ditëve sa ka zgjatur festivali. Pra, bëhet fjalë për një program të ngjeshur filmash në gjuhën shqipe që e ka shënuar këtë festival.
Me këtë rast dhe në këtë frymë të thuash festive, albinfo.ch i ka marrë një intervistë të shkurtër “fajtorit” mbase kryesor për pjesëmarrjen e filmit kosovar në këtë festival, Veton Nurkollarit. Vetoni është drejtor artistik i Dokufestit të Prizrenit ndërsa në Winterthur ai ka ardhur si anëtar jurie i dy kategorive të filmave që konkurrojnë për çmim dhe, sidomos, si bashkëkurator i filmave pjesëmarrës nga Kosova.
“Unë isha caktuar edhe vitin e kaluar si anëtar jurie i këtij festivali por për shkak të pandemisë, ai ishte mbajtur vetëm online. Tani, edhe në festivalin “fizik” jam sërish anëtar jurie në dy programe të festivalit. Fjala është për kategorinë e filmave zviceranë në konkurrencë për çmim dhe për kategorinë e filmave të shkollave zvicerane të filmit”, shprehet Nurkollari për albinfo.ch.
“Por për mua, ndoshta më shumë se kjo, ka rëndësi rasti që mu dha që të jem bashkëkurator, përzgjedhës i filmave që do të merrnin pjesë në këtë festival, 20 filma, të ndarë në katër programe, të cilët përfaqësojnë Kosovën këtu. Nga Kosova, këtë punë e kam bërë së bashku me Samir Karahodën, ndërsa nga Zvicra, ka punuar një grup punonjësish të festivalit të Winterthurit. Vetë prezantimi i Kosovës si “Vend në fokus” është një iniciativë që ka rrjedhur nga Festivali i WInterthurit dhe që ka nja tre vjet por për shkak, edhe të pandemisë, realizimi i saj është shtyrë. Sidoqoftë më gëzon shumë kjo pjesëmarrje dhe është rast i pashembullt që filmi kosovar të ketë marrë pjesë në ndonjë festival në mënyrë retrospektive me një numër kaq të madh filmash. 19 filmat janë realizime të viteve të fundit ndërsa i njëzeti, është filmi tashmë kult, “117” i Besim Sahatçiut, nga viti 1976. Është kënaqësi e rrallë të shikohet ky film antologjik, që për mua është sigurisht ndër filmat më të mirë në historinë e filmit tonë. Prandaj pranimi i këtij filmi në program, që tregon ndërlidhjen me filmat e rinj, për mua është një nderim i jashtëzakonshëm që na bëhet”.
Sa u përket filmave nga Kosova, ata janë pjesë e programit special të “Vendit në fokus”, vend ky i cili kësaj radhe i është rezervuar Kosovës, shkruan albinfo.ch. “Pra, ata, si tërësi, nuk janë në konkurrencë garuese. Por, në garë për çmim është njëri nga këta filma,. Bëhet fjalë për filmin e Samir Karahodës “Pa vend”, i cili, siç dihet tashmë, është përzgjedhur në mesin e pesë filmave evropianë kandidatë për festivalin e Kanit. Të kujtojmë se ky film ka marrë edhe çmimin e festivalit të Torontos, në Kanada, që është festivali më i madh i filmit në Amerikën veriore”, vazhdon Nurkollari për albinfo.ch.
Duke u pajtuar me perceptimin tashmë të njohur se viteve të fundit “diçka e madhe po ndodh me filmin kosovar”, Nurkollari thotë: “prandaj do tu preferoja bashkatdhetarëve tanë këtu që të vijnë e të shohin se ku e ka burimin ky sukses i filmit tonë. Ai është pikërisht në këta filma të shkurtër, të realizuar nga autorë të rinj. Është një momentum i jashtëzakonshëm dhe është viti më i suksesshëm i filmit kosovar në historinë e tij.”
Një pjesë e konsiderueshme e këtij suksesi i “faturohet” me siguri festivalit të suksesshëm të filmit dokumentar dhe të shkurtër, të themeluar nga Veton Nurkollari me shokë, “Dokufest”, në Prizren.
“Ne kemi bërë punën tonë dhe besoj se ajo është vlerësuar. Mendoj se organizimi i festivalit ka shërbyer dhe po shërben si njëfarë shkolle për filmbërësit e rinj”, thotë me modesti Veton Nurkollari.
Ai me këtë rast falënderon edhe Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, të Qeverisë së Kosovës për mbështetjen që i ka bërë pjesëmarrjes në këtë festival të filmit. Ajo ka mundësuar që të vijnë në Zvicër 12 regjisorë dhe aktorë të disa prej filmave të shfaqur këtu. “Është një frymë e re, e mirëkuptimit për rëndësinë e përfaqësimit të filmit tonë në botë, prandaj e përgëzoj ministrinë e përmendur për këtë mbështetje. Sigurisht, pjesën më të madhe të financimit të ardhjes tonë e ka siguruar vetë festivali por është mirë që edhe autoritetet e vendit tonë kanë treguar vullnetin e tyre për të mbështetjen tonë, pasi ne këtu përfaqësojmë Kosovën”.
Të ngjashme
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Rrugës për në Kosovë, mërgimtarët presin mbi 15 orë në kufirin Kroaci-Serbi “Aktualisht presim mbi 15 orë. Pompa e fundit e benzinës ishte e stërmbushur tërësisht”, thotë për...
-
Iu dha lamtumira e fundit aktorit Adem Muji
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
Jeta në Zvicër
-
Rrugës për në Kosovë, mërgimtarët presin mbi 15 orë në kufirin Kroaci-Serbi “Aktualisht presim mbi 15 orë. Pompa e fundit e benzinës ishte e stërmbushur tërësisht”, thotë për...
-
Pronarët e shtëpive të dyta do të përballen me taksa më të larta
-
Hotelet e Bazelit nuk duhet të rrisin shumë çmimin për shkak të Eurovizionit
-
Festivali Federal i Muzikës 2026 do të mbahet në Biel
-
Gjashtë lajmet kryesore nga Zvicra për këtë javë