Muzikë

Lule Elezi promovon albumin dhe mban koncert në Vjenë

Mësohet se shoqata ndërkombëtare “Chopin” ka organizuar në Vjenë koncertin e pianistes Lule Elezi, përcjell albinfo.at.

Thuhet se në ngjarjen vjeneze, që zë vend më 15 nëntor, kjo pianiste kosovare do të luajë vepra nga kompozitorët e njohur Frederik Shopen, Ludvig Van Betoven dhe Rauf Dhomi. Me këtë rast, pianistja Elezi promovon CD albumin pianistik.

Pritet që kryeqyteti i muzikës klasike do të kumbojë nga interpretimi magjik i pianistes kosovare, Lule Elezi.

Theksohet se në Vjenë të Austrisë, në mbrëmjen e së hënës së 15 nëntorit, pianistja Elezi do të interpretojë vepra nga të famshmit e muzikës, Frederik Shopen e Ludvig Van Betoven, si dhe të kompozitorit kosovar, Rauf Dhomi.

Në këtë ngjarje që organizohet nga shoqata ndërkombëtare “Chopin” e Vjenës dhe me mbështetje të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Austri, pianistja Lule Elezi do të promovojë CD albumin pianistik me veprat e gjenive Shopen e Betoven. Albumi i Lule Elezit që është incizuar gjatë pandemisë, në “Mozart House” në Vjenë, do të prezantohet pas koncertit, në koktelin e organizuar nga ambasadori kosovar.

Vlen të theksohet se Lule Elezi është nga pianistet elitare shqiptare në përgjithësi. U zhvillua në nivel artistik në Universitetin e Prishtinës, Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë dhe në Akademinë e Muzikës në Sarajevë. Është dalluar për lojën e saj të fuqishme dhe aq delikate nga shtëpi diskografike evropiane, u shqua virtuoze në interpretim, vlerësuar veçanërisht për interpretimin e përzemërt të krijimtarisë së Shopenit.

Pianistja Lule Elezi ka koncertuar në skena vendore e ndërkombëtare, përfshirë në Suedi, Gjermani, Kinë, SHBA, Rusi, Japoni, Luksemburg, Francë, Bullgari, Itali, e të tjera. Lule Elezi jeton mes Kosovës e Gjermanisë dhe ushtron veprimtarinë si Profesor i rregullt në lëndën piano, në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës.