Lajme

Mjekët në SHBA rekomandojnë vaksinimin e fëmijëve 5-11 vjeç

Në SHBA është rekomanduar vaksinimi me ‘Pfizer’ edhe për fëmijët e grupmoshës nga 5 në 11 vjeç. Pediatri Matthew Harris i Qendrës Mjekësore të Fëmijëve në Nju-Jork, u bëri thirrje prindërve që t’i vaksinojnë fëmijët e tyre.

“Ne e dimë se ka pasur 6 milionë fëmijë në Shtetet e Bashkuara nga zero deri në 18 vjeç që janë diagnostikuar me COVID, një milion në muajin shtator dhe 1.9 milionë prej tyre kanë qenë midis moshës 5 dhe 11 vjeç . 8400 prej tyre janë shtruar në spital. Ka nevojë urgjente për vaksinim. Të dhënat që dolën nga ‘Pfizer’ janë mbresëlënëse. Unë jam prind  i binjakëve vetëm 7 vjeç dhe e kuptoj që kjo është një zgjedhje e vështirë për t’u bërë nga prindërit. Por, kjo është mënyra më e lehtë për t’i mbajtur fëmijët e sigurt”, thotë pediatri.

Administrata e Ushqimit dhe Barnave e SHBA-së të premten autorizoi ‘Pfizer Inc’ për moshën 5 deri në 11 vjeç.