Lajme

Parlamenti i Zvicrës sot do të jetë “në duar të grave”

"Seanca e grave" mbahet për të shënuar 50 vjetorin nga viti kur gratë në Zvicër kanë fituar të drejtën e votës në nivel federal

Pallati Federal (Parlamenti i Zvicrës) sot dhe nesër (e premte dhe e shtunë) është tërësisht në duart e grave. Sesioni i quajtur, i grave zhvillohet për të shënuar 50 vjetorin e të drejtës së votës së grave.

246 gra nga të gjitha rajonet gjuhësore mblidhen në sallën e Dhomës Nacionale të Parlamentit për të diskutuar shqetësimet e tyre, shkruan sda.ch.

Është hera e dytë në tridhjetë vitet e fundit që gratë nga popullata takohen për një seancë “të tyren”, transmeton albinfo.ch. Seanca e parë e grave është zhvilluar në vitin 1991.

Marrin pjesë 200 gra nga e gjithë Zvicra për të cilat mund të votohet.

Mbi 1,400 gra ishin regjistruar si kandidate, dhe prej tyre janë zgjedhur 200 të përmendurat, me votën e 12,000 votueseve femra.

46 vendet e mbetura në sallë janë të rezervuara për ish-deputetet dhe deputetet në detyrë, si dhe për ministret federale.

Puna përgatitore në tetë komisione

Ndër të tjera në këtë seancë po diskutohen masat për barazinë gjinore, sigurimin e pleqërisë, dhunën ndaj grave dhe vajzave si dhe për punën e përkujdesjes.

Pjesëmarrësit kanë përpunuar mocionet në tetë komisione, të cilat më pas duhet të diskutohen.

Një komision ka hartuar një mocion që kërkon nga Këshilli Federal të ngrejë një autoritet federal të pavarur me detyrën e monitorimit të pagave të barabarta ndërmjet gjinive dhe raportimit të rasteve të abuzimit.

Një komision tjetër po kërkon një mocion që Këshillit Federal t’i besohet nisja e një programi kombëtar kërkimor mbi mjekësinë gjinore dhe t’i besohet Fondacionit Kombëtar të Shkencës Zvicerane (SNSF) me programin e kërkimit.

Lista e kërkesave për Kuvendin

Në fund të seancës, propozimet rishkruhen në peticione, të cilat më pas u dorëzohen anëtarëve të Asamblesë Federale në listën e kërkesave.

Këtë vit mbushen 50 vjet që kur gratë në Zvicër kanë fituar të drejtën e votës në nivel federal, përcjell albinfo.ch. Në atë kohë ishin zgjedhur njëmbëdhjetë deputete nacionale dhe ishin betuar në parlament për herë të parë.

Ngjarja organizohet nga Shërbimet Parlamentare së bashku me organizatën më të madhe zvicerane ombrellë të grave Alliance F, Komisionin Federal për Çështjet e Grave (SFAO) dhe shoqata të tjera të grave.