Kosova

Këto janë grup mosha më të vaksinuar në Kosovë

Mësohet se javëve të fundit në Kosovë ka pasur rënie të dukshme të rasteve të reja me koronavirus, e gjithashtu edhe të rasteve të vdekjes. Me normalizimin e situatës, ka rënë dukshëm edhe interesimi i qytetarëve për t’u vaksinuar.

Referuar të dhënave nga MSH-ja, të shtunën në Kosovë janë dhënë 7 mijë e 348 doza të vaksinës, kurse të dielën nuk ka pasur asnjë qytetar që është vaksinuar.

Gjithashtu, sipas statistikave, në faqen e Ministrisë së Shëndetësisë thuhet se për ditën e sotme janë të administruara vetëm 48 vaksina, kurse numri i terminëve që kanë bërë qytetarët është 15 mijë e 684.

Sipas këtyre statistikave, përqindja më e lartë e imunizimeve sipas gjinisë i takon gjinisë femërore, me 51%, kurse ajo mashkullore është 49%. Nga numri i profesioneve, të cilët prin me përqindjen e vaksinimit është amvisëria, kurse të fundit në tabelë renditen nxënësit.

Nga vendbanimet sa i përket imunizimeve prin Prishtina me 231 mijë e 359 persona të vaksinuar, kurse e fundit është Suhareka me 54 mijë e 136.

Grup mosha, e cila është vaksinuar më së shumti në Kosovë, është ajo prej 21-40 vjeç. Ajo çfarë vërehet në këto statistika është vaksinimi i ulët i personave mbi moshën 80 vjeç.