Lajme

KE: Polonia vë në dyshim themelet e Bashkimit Europian

Komisioni Europian do t’i përgjigjet vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Polonisë për shpalljen antikushtetuese të disa neneve në traktatet me Bashkimin Europian.

Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, të martën para ligjvënësve të BE-së tha se Polonia mund të përballet me disa masa të vendosura nga BE-ja.

Sipas von Der Leyen, janë tri opsione që mund të merren si masa ndaj Polonisë: hapja e procedurave të reja të shkeljes, veprimi përmes mekanizmit të ri të kufizimit të buxhetit ose përdorimi i procedurës së Nenit 7, i cili mund t’i heqë Polonisë të drejtat e votimit të BE-së.

“Ne nuk mund, dhe nuk do të lejojmë që vlerat tona të përbashkëta të vihen në rrezik”, tha Von der Leyen.

Gjykata Kushtetuese e Polonisë ka vendosur që të hedhë poshtë parimin e përparësisë së ligjit të BE-së mbi legjislacionin kombëtar, në çështje të caktuara gjyqësore. Gjykata ka thënë se disa nene të traktatit të BE-së nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Polonisë.

“Ky vendim vë në dyshim themelet e Bashkimit Evropian. Është një sfidë e drejtpërdrejtë ndaj unitetit të rendit juridik evropian”, tha von Der Leyen.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, gjykatësit polakë nuk duhet ta përdorin ligjin e BE-së për të vënë në dyshim pavarësinë e kolegëve të tyre.

Rasti është paraqitur në Gjykatë nga kryeministri Morawiecki.

Kjo është hera e parë në historinë e BE-së që udhëheqësi i një shteti anëtar vë në dyshim traktatet e bllokut në Gjykatën Kushtetuese.