Shqipëria

Rama: BE-ja dhe Gjermania s’janë më të njëjtat

Kështu shprehet kryeministri Edi Rama në intervistën për Televizionin Kombëtar Gjerman

Mësohet se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një interviste për Televizionin Kombëtar Gjerman ka thënë se Bashkimi Evropian dhe Gjermania s’janë më të njëjta pas krizës së refugjatëve.

Rama gjatë intervistës foli edhe për pranimin e një numri të afganëve në Shqipëri, pas kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Edhe pse na u ofruan para për të ndërtuar kamp për refugjatët, refuzuam. Në këtë rast bëmë të njëjtën gjë që bëmë për njerëzit tanë, kur vendi ynë u godit nga tërmeti i tmerrshëm më 26 nëntor 2019”, deklaroi Rama.
Kreu i ekzekutivit, ndër të tjera, u pyet për Samitin në Slloveni.

Aty Rama u takua edhe me kancelaren gjermane, Angela Merkel, për të cilën thotë se do t’i mungojë Gjermanisë, Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.

Madje, duke folur për Merkelin, Rama theksoi se “gratë gjermane janë më të mira se burrat gjermanë”, kur u pyet për dominimin e gjinisë femërore në kabinetin e tij qeveritar.

“Dua të them se nuk ishte aspak qëllimi im kjo gjë. Nuk është një kabinet që ka një përqindje kaq të lartë të grave për të bërë përshtypje në gjithë botën, duke diskriminuar burra”.

“Në kabinetet e mia të mëparshme, në të parin dhe në të dytin, ndarja shumë e ekuilibruar gjinore ishte e qëllimshme. Këtë herë doja thjesht kabinetin më të mirë. Dhe, rasti e solli të ketë më shumë gra se sa burra’, deklaroi Rama.