Lajme

Ngjarjet e fundit në politikën austriake: Kush është Alexander Schallenberg?

Një profil rreth jetës dhe veprimtarisë politike të Alexander Schallenberg, i cili pritet të emërohet kancelar i Austrisë, përcjell albinfo.at

Kancelari austriak, Sebastian Kurz, të shtunën dha dorëheqje, pasi po hetohet nën dyshimin për vepra korrupsioni. Pasuesi i tij pritet të jetë ministri i Jashtëm, Alexander Schallenberg. Gazeta austriake moment.at ka shkruar një profil rreth jetës dhe veprimtarisë politike të tij, përcjell albinfo.at.

Alexander Schallenberg është ministër i Jashtëm i Austrisë. Ai u lind në vitin 1969 dhe ka katër fëmijë. Babai i tij ishte diplomat dhe ambasador në Indi, Spanjë dhe Francë. Schallenberg studioi drejtësi në Universitetin e Vjenës dhe në Paris. Ai punon në Ministrinë e Punëve të Jashtme që nga viti 1997.

A është zgjedhur ende Alexander Schallenberg  kancelar?

Jo. Para së gjithash, ky është një propozim nga Sebastian Kurz, i cili, sipas deklaratave të kreut të  Partisë së Gjelbër, Werner Kogler, është i pranueshëm për ta vazhduar bashkëqeverisjen. Schallenberg kështu duket se ka shumicën e nevojshme në Parlament. Presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen, do të duhet ta shkarkojë zyrtarisht Kurzin dhe të emërojë Schallenberg si kancelar.

A është Alexander Schallenberg anëtar i Partisë Popullore të Austrisë (ÖVP)?

Schallenberg nuk është anëtar i ÖVP-së ose i ndonjë partie tjetër. Sidoqoftë, karriera e tij është e lidhur ngushtë me ÖVP-në. Për shembull, nga viti 2009 ai ishte zëdhënës në  Ministrisë së Jashtme që udhëhiqej nga ÖVP-ja nga Michael Spindelegger, përcjell albinfo.at.

Schallenberg konsiderohet të jetëi besuari i Sebastian Kurz për shumë vite dhe gjithashtu ka punuar me Kurzin edhe gjatë kohës sa Kurz ishte ministër i Jashtëm. Në vitin 2017 ai ishte negociator i marrëveshjes për koalicion mes partisë së ÖVP-së dhe FPÖ-së.

Ngjarjet e ditëve të fundit, Schallenberg e mbështeti Sebastian Kurzin, duke thënë se koalicioni mes të Gjelbërve dhe ÖVP-së mund të vazhdojë vetëm me Sebastian Kurzin si kancelar, ashtu siç i kishin dhënë mbështetje të gjithë ministrat e tjerë të ÖVP-së.

Sa kohë ka që Alexander Schallenberg është ministër i Jashtëm?

Schallenberg është emëruar si ministër i Jashtëm nga qeveria e përkohshme e ashtuquajtur “qeveria e ekspertëve”  që u zgjodh Brigitte Bierlein, e cila erdhi në krye të qeverisë pas skandalit të rastit “Ibiza”. Schallenberg ishte i vetmi që e vazhdoi postin nga “qeveria e eksperteve” si ministër i Jashtëm në qeverinë e ardhshme mes të Gjelbërve dhe ÖVP-së.

 Pse duhet të bëhet Schallenberg kancelar i Austrisë?

Sebastian Kurz është nën presion. Si i dyshuar për korrupsion nga zyra e prokurorit publik, Kurz për ta shpëtuar qeverinë duhet të gjejë një person tjetër që është i pranueshëm edhe për partinë në koalicion. Të Gjelbërit kanë kërkuar nga partia ÖVP të sjellë një kandidat që është person i pranueshëm dhe i respektuar. Një i tillë është Schallenberg, pavarësisht afërsisë që e ka me Sebastian Kurz.

Siç njoftojnë mediat austriake, Alexander Schallenberg pritet të emërohet kancelar ditën e hënë nga presidenti Alexander Van der Bellen, transmeton albinfo.at.

Por, çfarë  do të ndodhë me Sebastian Kurzin?

Sebastian Kurz dëshiron të qëndrojë  në krye të partisë dhe të bëhet shef i grupit parlamentar të ÖVP-së. Në këtë mënyrë ai do të vazhdonte të luante një rol të rëndësishëm politikisht. Me sa duket, Kurz dëshiron të kthehet si Kancelar “kur akuzat kundër tij të kenë përfunduar”. Por, gjithçka mbetet të shihet gjatë ditëve në vijim.