Albinfo plus

Përmbyllet “Java e Kulturës Shqiptare” në Cyrih

“Java e Kulturës Shqiptare”, aktivitet i organizuar nga Kuvendi i Shqiptarëve të Zvicrës, ka pasur të enjten mbrëmjen e saj të fundit,  dhe me këtë rast është përmbyllur ky aktivitet kulturore i organizuar në Cyrih. “Java e Kulturës Shqiptare”  ishte një përpjekje për të pasuruar jetën kulturore të komunitetit tonë dhe për të prezantuar vlerat kulturore shqiptare për publikun e diasporës.

Në mbrëmjen e fundit, para publikut autorja e librit “Bürde & Segen”, Shqipe Sylejmani, ka lexuar pjesë nga libri i saj. Autorja në këtë mbrëmje ka ndarë pjesë nga libri i saj, që rrëfejnë historinë e vajzës që jeton në Zvicër dhe ka gjithçka që të afërmit e saj në Kosovë mund të dëshirojnë: lirinë, mundësitë dhe ambiciet.

Libri “Bürde & Segen“ apo (Barrë&Bekim), trajton tema interesante, ndërthurje historie, me të cilën autorja e saj letrare rrëfen përvojën e saj të migrimit dhe udhëtimet në vendlindjen e saj.

© 2021/ALBINFO.CH/Armend Berisha

Programi ka vazhduar me debatin rreth temës “Secondos”, çka pastaj? “, me një panel me pjesëmarrësit: Arber Bullakaj, politikan SP dhe afarist, Shqipe Sylejmani, autore, Besfort Ismajli, student informatikë-ekonomi si dhe Enis Mustafa, student i elektroteknikës.

Debati edhe këtë herë është drejtuar nga moderatori, njëherësh anëtar i KSHZ-së, Gëzim Hasanaj.

© 2021/ALBINFO.CH/Armend Berisha

Në kuadër të temës  “Secondos”, çka pastaj?, panelistët kanë trajtuar këtë temë nga përvoja dhe perspektiva e tyre, duke shtruar për diskutim përparuesit dhe mangësitë e të qenët “Secondos”.  Një këndvështrim, i cili ka qenë një pikë e fortë në këtë debat, ishte fakti se integrimi mund të ndodhë vetëm atëherë kur në shoqërinë zvicerane do të jenë të barabartë si qytetarët vendas, ashtu edhe ata “Secondos”, pavarësisht dallimeve të prejardhjes. Ajo që zuri po ashtu një vend në këtë debat nga folësit ishte përdorimi i fjalës “albaner” në mediet zviceran, e cili automatikisht bën që një artikulli të jetë më i lexuari i ditës dhe kjo nga vetë zviceranët.

© 2021/ALBINFO.CH/Armend Berisha

Përveç një sërë përparësish dhe mangësish e të qenët “Secondos”, panelistët kanë venë pah një aspekt, i cili luan një rol të rëndësishëm, e që njëherësh bën më të lehtë integrimin e “Secondas”, që është të jetuarit në qytetet më të mëdha të Zvicrës, e të cilat përfaqësojnë shumëllojshmërinë kulturore, krahasuar me disa pjesë që janë më konservatore dhe më të mbyllura për të huajt. Debati “Secondos”, çka pastaj?, është transmetuar live ne faqen e Facebook-ut të platformës albinfo.ch.

© 2021/ALBINFO.CH/Armend Berisha

Pas përfundimit të debatit, të pranishmit i kanë argëtuar me muzike të mirëfilltë shqiptare Gjyli, Iliri & Samiri.  Në kuadrin e aktiviteteve të kësaj jave janë përfshirë ekspozita, promovime librash, debate, muzikë etj. Të gjitha aktivitetet janë mbajtur në GZ Seebach, Zürich.

© 2021/ALBINFO.CH/Armend Berisha

Albinfo.ch ishte sponsor medial i “Java e Kulturës Shqiptare” në Zvicër.