Kosova

Kosovë: Doza e tretë e vaksinës nis së aplikuari nga viti i ardhshëm

Kosova nisi vonë procesin e imunizimit kundër koronavirusit, megjithatë nga Ministria e Shëndetësisë zotohen se do të veprojnë në kohë të duhur për aplikimin e dozës përforcuese.

Edhe ekspertët shëndetësor pajtohen që aktualisht nuk është momenti që në Kosovë të nis administrimi i dozës së tretë të vaksinës pasi konsiderojnë se për të marrë dozën përforcuese, së paku duhet të kalojnë 6 muaj prej marrjes së dozës së dytë të vaksinës anti-COVID.

Tashmë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik u ka rekomanduar autoriteteve shtetërore për dhënie e dozës së tretë për grupe të caktuara. Ndërsa, si kohë optimale nga Ministria e Shëndetësisë për distribuimin e këtyre dozave ishte dhënë viti i ardhshëm.

Por në një përgjigje për KosovaPress nga ky dikaster kanë thënë se në kohën e duhur Kosova do të marrë vendimin për të nis aplikimin e dozës përforcuese.

Madje të njëjtit thonë se nuk do kenë telashe rreth dozave të nevojshme për grupet e caktuara.

“Kosova do ta marrë vendimin në kohën e duhur për aplikimin e dozës së tretë të vaksinës kundër COVID-19, meqë ka filluar më vonë me procesin e vaksinimit, ndërsa nuk pritet të ketë probleme rreth dozave, meqë MSh ka një kontratë me kompaninë Pfizer për blerje të vaksinave kundër COVID-19 dhe ekipi negociues i ka parasysh nevojat për procesin e vaksinimit. Shtetet që kanë filluar ta aplikojnë dozën e tretë, e kanë bërë këtë vetëm për kategori të caktuara të popullatës, si të moshuarit, punëtorët e kujdesit shëndetësor apo kategori me imunitet të komprometuar”, thuhej në shkresën e MSh.

Derisa imunizimi me dozën e tretë po bëhet në shumë vende të botës vetëm për grupet që kanë imunitet më të komprometuar, infektologu Iliri Tolaj thotë se doza përforcuese do jetë e nevojshme për të gjithë.

Tolaj deklaron se nuk është vonë që në vitin e ardhshëm të ndodh aplikimi i kësaj doze marrë parasysh edhe vonesat me të cilat ka nisur komplet procesi i vaksinimit në Kosovë.

“Doza e tretë është e domosdoshme me gjasë jo vetëm për kategoritë që kanë probleme shëndetësore kronike apo imunitet të dobët por me gjasë për të gjithë. Nuk është vonë viti i ardhshëm pavarësisht që niveli i antitrupave bie edhe pas dozës së dytë pas një periudhe por sërish imuniteti nuk është shuar i ploti në organizëm dhe rrjedhimisht me këtë të gjitha ata organizma që e kanë kaluar në mënyrë të natyrshme infeksionin pa janë vaksinuar me dy doza kanë një mbrojtje të mjaftueshme pavarësisht nivelit të antitrupave që ua garanton që eventualisht infeksionin e ri do ta kalojnë më lehtë dhe nuk do përfundojnë në spital apo kujdes intensive”, thotë Tolaj, transmeton Albinfo.ch.

Ndërsa, internisti Driton Vela sugjeron që doza përforcuese të mos aplikohet te qytetarët pa kaluar 6 muaj nga koha prej kur qytetarët kanë marrë dozën e dytë të vaksinës anti-COVID.

“Në Kosovë shumica e popullatë është vaksinuar ne periudhën korrik, gusht dhe shtator prandaj asnjëri nga ky fraksion i popullatës që është vaksinuar në këta muaj nuk ka nevojë ta marr dozën e tretë sepse ka kaluar kohë e shkurtër në pjesën më të madhe të shteteve të botës referohet që doza e tretë të merret 5 apo 6 muaj pas dozës së dytë….Duhet të caktojmë prioritetet se kush do të marr dozën e tretë aktualisht ka dëshmi për personat e moshuar mbi moshën 65 vjeç e sidomos mbi 80 dhe persona me probleme shëndetësore për të tjerët të cilët janë të shëndosh 6 muajshi duke është i hershëm për ta marr dozën e tretë ”, u shpreh ai.

Se Kosova nga viti i ardhshëm mund të nis shpërndarjen e dozës së tretë të vaksinës e thotë edhe epidemiologu, Isuf Dedushaj.

Por ai këshillon institucionet shëndetësore që fillimisht të imunizohen 60 % e popullatës e më pas të vazhdohet me dozën përforcuese.

“Ne duhet të arrijmë atë premtimin që ka dhënë ministria prej 60 % unë besoj se do e arrij se me kalim të sëmundjes, me vaksina me 1 dozë apo 2 doza është arritur mbulesë e mirë që jep siguri epidemiologjike nëse ne arrijmë 60 deri në 80% që ta mbulojmë popullatën me vaksinës kundër COVID-19 gjithsesi duhet të fillojmë me personat që pas 1 viti me dhënë dozën përforcuese apo dozën e tretë“, tha ai.

Ndërsa, Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) në fillim të muajit tetor do të vendos nëse do të miratojë dhënien e dozës shtesë të vaksinës Pfizer/BioNTech kundër COVID-19 për të gjithë njerëzit e moshës mbi 16 vjeç. Ndërsa, tashmë Maqedonia e Veriut nga kjo e hënë ka nisur dhënien e dozës përforcuese për qytetarët mbi 65 vjeç