Lajme

Situata pandemike shënon ngadalësim në nivel botëror

Pandemia COVID-19 është ngadalësuar sërish këtë javë në botë.

Me 457 000 raste infektimi të regjistruara çdo ditë në botë, këtë javë, treguesi ka rënë ndjeshëm (-11 për qind në krahasim me javën e mëparshme), duke vazhduar një prirje të vërejtur që nga fillimi i shtatorit, raporton Afp, transmeton Albinfo.ch.

Përmirësim i situatës në shumicën e rajoneve

Këtë javë, shumica e rajoneve të botës kanë parë një përmirësim të gjendjes epidemiologjike: në Amerikën Latine dhe Karaibe (-31 për qind), Lindjen e Mesme (-21 për qind), Azi (-15 për qind) dhe në zonën e SHBA/Kanadasë (-10 për qind).

Situata është e qëndrueshme në Afrikë (-1 për qind) dhe Evropë (+ 3 për qind), ndërsa është përkeqësuar disi në Oqeani (+ 11 për qind).

Përshpejtim më i fortë

Lituania është vendi ku epidemia po përshpejtohet më së shumti (+ 62 për qind, 1 700 raste të reja në ditë), në mesin e atyre që kanë regjistruar të paktën 1 000 infektime në 24 orë gjatë javës së kaluar.

Rumania (+ 60 për qind, 8 700), që po përballet me një numër rekord pacientësh të shtruar në spitalet Covid, që nga fillimi i krizës shëndetësore.

Koreja e Jugut (+ 46 për qind, 2 700), Ukraina (+36 për qind, 7 600) dhe Singapori (25 për qind, 1 600).

Rëniet më të forta

Anasjelltas, është Japonia (-42 për qind, 2 200 raste të reja në ditë) ajo që ka regjistruar rënien më të madhe të rasteve këtë javë, para Marokut (-37 për qind, 1 100), Sri Lankës (-36 për qind, 1 100), Indonezisë (-33 për qind , 1 900) dhe Izraelit (-31 për qind, 4 100).

Infektimet më të mëdha

SHBA-ja mbetet, deri më tani, vendi me numrin më të madh të infeksioneve të reja në terma absolutë këtë javë (113 000 raste ditore, -11 për qind), përpara Britanisë së Madhe (34 500, + 6 për qind) dhe Turqisë (27 700, -11 për qind).

Në proporcion me popullsinë, pa mikroshtetet, vendi me më shumë raste të reja këtë javë mbetet Serbia (681 për 100 000 banorë), përpara Mongolisë (511) dhe Lituanisë (450).

Vdekjet

SHBA-ja ka numrin më të lartë të vdekjeve ditore, 1 924 në ditë këtë javë, përpara Rusisë (830), që të premten regjistroi një numër rekord të vdekjeve ditore (887) për të katërtën ditë radhazi dhe Brazilit (541).

Globalisht, vdekjet ditore kanë rënë (7 779 në ditë, -7 për qind).

Vaksinimi

Vendet që kanë vaksinuar më shpejt këtë javë janë kryesisht në Amerikën Latine, Azi dhe Oqeani.

Kuba ka normën më të shpejtë midis vendeve me më shumë se një milion banorë, për të tretën javë radhazi, duke administruar doza në 2,16 për qind të popullsisë së saj çdo ditë.

Koreja e Jugut (1,49 për qind) dhe Tajvani (1,21 për qind) plotësojnë tre vendet e para.

Emiratet e Bashkuara Arabe mbetet vendi me fushatën më të përparuar të vaksinimit, me 203 doza të administruara për 100 banorë, përpara Kubës (184) dhe Uruguajit (180).

Më shumë se 26 milionë doza vaksinash kundër COVID-19 janë injektuar mesatarisht çdo ditë në botë, gjatë shtatë ditëve të fundit.