Lajme

QBD vazhdon shpërndarjen e teksteve për nxënësit në Zvicër

Misioni i Qendrës së Botimeve për Diasporën në shpërndarjen e librave të gjuhës shqipe në diasporë po vazhdon në shumë shtete të botës, përcjell albionfo.ch.

Afro 600 tekste mësimore janë dërguar nga Qendra e Botimeve për Diasporën për klasat e mësimit të gjuhës shqipe në Zvicër në muajin që kaloi.

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Bernë njofton se po vazhdon me shpërndarjen e teksteve shkollore për nxënësit shqiptarë.

Këtë javë ambasada ka dhuruar librat në shkollën shqipe në Cham të Zug-ut, aty ku mësimin e zhvillon mësuese Lumnije Klinaku Neziri.

Po ashtu shpërndarja e teksteve u bë edhe në disa shkolla shqipe të Kantonit të Cyrihut.

Nga ana tjetër, të gjitha kurset e mësimit plotësues të gjuhës shqipe njoftohen se kanë mbërritur tekstet për vitin shkollor 2021-2022, sipas kërkesave paraprake të dërguara nga ana juaj në maj – qershor 2021, pranë Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Athinë. Tekstet janë dërguar falas nga Qendra e Botimeve për Diasporën, në bashkëpunim me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

“Jeni të mirëpritur në ambientet e Ambasadës nga data 29 shtator deri më 15 tetor 2021, nga ora 11:00 deri në orën 14:00 për t’i tërhequr. Lutemi paraprakisht të dërgoni një email në adresën elektronike [email protected], për të lënë një takim. Gjithashtu, lutemi të keni me vete listën e titujve të librave dhe sasisë së kërkuar”, shkruhet në njoftimin e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Athinë.