Lajme

Policia austriake konfiskon 29 teste PCR false në aeroportin e Vjenës

Shumica e tyre që bartnin certifikatat PCR false, kishin fluturuar nga aeroporti i kryeqytetit shqiptar, Tirana

Gjatë kontrolleve rutinore në aeroportin e Vjenës në Schwechat, vetëm në muajin shtator policia austriake ka konfiskuar 29 teste PCR false, ka njoftuar Ministria e Brendshme e Austrisë, përcjell albinfo.at.

Shumica e tyre që bartnin certifikatat e rreme kishin fluturuar nga aeroporti i kryeqytetit shqiptar, Tirana.

Në përgjithësi 20 shtetas shqiptarë u kthyen sërish në vendin prej nga kishin ardhur pasi depozituan një depozitë sigurie. Ata deklaruan në polici se certifikatat e rreme i kishin bërë në internet para nisjes së fluturimit.

Gjatë këtij muaj, edhe dy serbë u gjetën me certifikata kosovare false, të cilët po ashtu kishin fluturuar nga Tirana për në Vjenë, transmeton albinfo.at.

Në mesin e 29 konfiskimeve të testeve false u gjetën edhe pesë rumunë që kishin fluturuar nga Londra si dhe dy shtetas sirianë, të cilët këta të fundit pas mbërritjes në Vjenë, aplikuan për azil.