Lajme
Ambasadori Bimo: Pema e miqësisë kërkon të ujitet vazhdimisht
Në intervistën për albinfo.at, z. Roland Bimo, Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Austri, flet për marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve dhe për nevojën që ato të kultivohen edhe më tutje
Roland Bimo, Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Austri, në intervistën e tij për albinfo.at raportet mes dy vendeve i vlerëson si të shkëlqyera, “në një masë të konsiderueshme falë prezencës së diasporës shqiptare në Austri”. Siç ka thënë në mënyrë të përsëritur kancelari Kurz, një nga arsyet e marrëdhënieve të ngushta të Austrisë dhe interesit të saj për Ballkanin Perëndimor janë lidhjet dhe raportet njerëzore midis tyre. Prandaj, pema e miqësisë kërkon të ujitet e të kujdesohet vazhdimisht, në mënyrë që frytet të jenë të shumtë dhe të shijshëm.
Albinfo.at: Zoti Ambasador, tani e disa vjet jeni ambasador i Republikës së Shqipërisë në Austri. A mund të na thoni diç nga ushtrimi i misionit tuaj prej fillimit gjer në këto rrethana pandemie?
Në vijim të pyetjes, mendoj se është nder i madh të punosh si përfaqësues i Shqipërisë në një vend mik si Austria, me të cilin popullin shqiptar e lidhin raporte që shkojnë shumë larg në histori. Njëkohësisht është edhe përgjegjësi e veçantë. Puna është relativisht e lehtë nga këndvështrimi i hapësirës miqësore që të ofrohet dhe mirëkuptimit që gjen, por shumë sfiduese në dimensionin e pritshmërisë. Më shumë akoma në aspektin e marrëdhënieve ekonomike.
Vlen të vihet në dukje se midis të dy vendeve tona, ekziston mirëkuptim i plotë për sa u përket qëndrimeve për probleme të ndryshme ndërkombëtare, në mënyrë të veçantë të rajonit tonë. Austria ishte ndër vendet e para që njohu Kosovën si shtet të lirë e sovran.
Albinfo.at: Rrethanat e pandemisë kufizuan lëvizjen e qytetarëve. Si duket kjo në raport me shtetasit shqiptarë dhe sa ka ndikuar në aktivitetin tuaj dh0e të stafit që drejtoni?
Fundi i marsit të vitit të kaluar dhe gjithë periudha e “lockdown”, ishte një sprovë e jashtëzakonshme për ambasadën. Papritmas, qindra shtetas shqiptarë e gjetën veten të bllokuar dhe në pamundësi për t’u kthyer në atdhe. Më shumë akoma ndodheshin në shtete të tjera, të cilët donin të kalonin transit përmes Austrisë. Situata të tilla të papara, na gjetën të papërgatitur për t`i përballuar. Por, falë solidaritetit njerëzor dhe ndihmës së komunitetit, u arrit të gjinden strehë dhe ushqim edhe për ata që ishin në gjendje të vështirë. Nuk kemi dijeni për viktima ndër shtetas shqiptarë në Austri, për shkak të Covid 19.
Albinfo.at: Ju ishit aktiv në komunikim në momentet e katastrofave natyrore në Shqipëri, e kam fjalën për tërmetin e fuqishëm që goditi Shqipërinë. Sa është mbështetur ky aktivitet nga mërgimtarët tanë dhe organet austriake?
Unë vetë jam shumë i emocionuar nga ndjenjat e solidaritetit dhe të simpatisë ofruar nga komuniteti, për të kapërcyer pasojat e tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit të vitit 2019. Në realitet ka pasur edhe shumë iniciativa private apo grupe të vegjël personash, të cilët mblodhën çka mundën e me shpejtësi udhëtuan drejt zonave të goditura në Shqipëri, pa dashur të lëvdohen. Pikërisht falë mbështetjes nga jashtë, përfshi edhe diasporën në Austri dhe shtetin austriak, pasojat e tërmetit janë duke u kapërcyer në një kohë relativisht të shkurtër. Me mbështetjen e Austrisë, Konferenca e Donatorëve organizuar në Bruksel më 17 shkurt të vitit të kaluar ishte një sukses i plotë, për qeverinë shqiptare dhe donatorët, ku u mblodhën mbi 1 miliard euro fonde për të ndihmuar Shqipërinë.
Albinfo.at: Cilat janë problemet dhe shqetësimet e qytetarëve nga Shqipëria në Austri, mund t’i evidentoni disa prej tyre. Sa keni pasur mundësi Ju dhe stafi juaj t’i ndihmon ata?
Numri i shtetasve shqiptarë që ndeshin probleme në Austri, në raport me ata që vizitojnë Austrinë është i papërfillshëm, por i mjaftueshëm për të mbajtur shumë të ngarkuar një ambasadë të vogël si ajo e Shqipërisë në Austri. Për ambasadën, çdo individ përbën një interes të veçantë në trajtim. Ne jemi në shërbim 24 orë në të 7 ditët e javës. Ka edhe raste të veçanta të aksidenteve, shkeljeve të ligjeve të shtetit austriak, kërkim informacioni për të komunikuar me familjet dhe me institucionet e shtetit shqiptar. Të shpeshta janë humbjet e dokumenteve e kërkesa për tu pajisur me leje udhëtimi. Sektori konsullor u përgjigjet këtyre kërkesave brenda afateve minimale.
Albinfo.at: Tradicionalisht Austria e ndihmoi Shqipërinë në tranzicionin e saj të vështirë nga regjimi i diktaturës në një demokraci në ndërtim. A mund të veçoni diç nga kjo mbështetje dhe cilët nga figurat austriake do të veçonit?
Duke ju përgjigjur kësaj pyetje rrezikoj grackën e subjektivizmit, të qenit i padrejtë apo selektiv, duke mos përjashtuar mundësinë që të mbetet jashtë përmendjes dikush me merita të veçanta. Nga ana tjetër unë vërtet do të doja të shprehja mirënjohje për të gjithë ata që kanë dhënë kontribut të spikatur: Ish Ministri i Jashtëm Alois Mock, Kancelari Franz Vranictky, Albert Rohan. Presidentët: Heinz Fischer dhe Van Der Bellen, pastaj: Elisabeth Gehrer, Wolfgang Grosruck, kancelari Sebastian Kurz, Michael Spindelegger , Alexander Schallenberg, Wolfgang Sobotka, Elisabeth Gehrer. Lista është vërtet shumë e gjatë. Me siguri ka dhe shumë të tjerë, të cilët po njësoj i falënderoj dhe ju kërkoj ndjesë për mos përmendjen e tyre.
Albinfo.at: Aktualisht, cilat janë raportet diplomatike mes Shqipërisë dhe Austrisë, kur dihet se Austria është mike tradicionale e Shqipërisë? Çka do të duhej përmirësuar, sipas jush?
Unë do të thosha se është shumë e vështirë të identifikosh se çfarë mungon kur marrëdhëniet janë kaq të shkëlqyera. Midis të dy vendeve ka një dialog politik të nivelit të lartë; në nivel Kryetar Shtetesh, Kryetar të Parlamenteve, Kryetar Qeverish, Ministra të Jashtëm, etj. Do të doja të dëgjoja më shumë për vizita të bizneseve private, të dhomave të tregtisë dhe sidomos të shoqërisë civile. Potencial i vërtetë ekziston edhe në bashkëpunimin midis universiteteve.
Albinfo.at: Cilat janë sferat ku investitorët austriakë e kanë gjetur veten dhe çfarë do të këshillonit ju rreth tyre në rrethanat aktuale?
Aktualisht, prania austriake në Shqipëri shihet më së shumti në fushën e energjetikës, financës (banka, siguracione) transport, infrastrukturë, turizëm. Me fuqizimin e sektorit privat në Shqipëri, shumë vendime nuk janë të natyrës shtetërore, por të interesave të biznesit privat. Mendoj se rruga më e mire është përmes shtimit të kontakteve, vizitave dhe njohjes më të mirë të mundësive për aktivitet ekonomik. Këtu ka një rol jo të vogël edhe mërgata, e cila mund të shërbejë si urë lidhëse për investimet austriake si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë duke ndihmuar edhe unifikimin e tregut shqiptar.
Albinfo.at: Si qëndron mundësia e investimeve të bashkatdhetarëve tanë në Shqipëri? A është e mjaftueshme siguria e investimeve?
Ndoshta investitorët nga diaspora do të duhet të thellojnë më shumë njohjen e mundësive të vendit dhe bashkëpunimin me sektorin privat në Shqipëri. Kjo do të rrisë edhe besimin reciprok. Kuadri ligjor jep garanci të mjaftueshme, bazuar edhe në vlerësimet e Komisionit Evropian, i cili prej kohësh ka rekomanduar fillimin e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Çdo hap drejt afrimit me BE-së, është një garanci më shumë për investitorët e huaj.
Albinfo.at: Si e vlerësoni organizimin e mërgatës shqiptare aktualisht në Austri? Përse shteti shqiptar nuk mbështeti krijimin e qendrave kulturore (jo vetëm kulturore) në diasporë, kur dihet se gjysma e kombit jeton jashtë?
Nëse shohim rrugën e përshkuar në disa dhjetëvjeçarë duhet qenë krenarë për arritjet. Qendrat e Kulturës dhe ngritja e funksionimi i tyre janë tema bisede konstante në bisedimet si me institucionet shtetërore ashtu edhe me organizatat në diasporë. Vlera e tyre e shtuar njihet dhe pranohet dhe ngritja e tyre është një objektiv që duhet të arrihet. Pa ju shmangur përgjegjësive që do të duhet të tregojnë shteti apo shtetet shqiptare, do desha edhe të përmend shprehjen e famshme të Presidentit Kenedi “Mos kërko çfarë do të bëjë vendi për ty, por kërko çfarë do të bësh ti për vendin tënd”.
Albinfo.at: Si e shihni ju rolin e diasporës shqiptare në Austri?
Roli i diasporës shqiptare në Austri është shumë pozitiv në çdo drejtim. Ne nuk kemi shifra të sakta, por po të mendojmë se jemi 70 mijë e më shumë, atëherë pritshmëria është shumë më e lartë. Shkalla e organizimit do të duhet të përmirësohet më tej dhe shoqatat e grupet e organizuar duhet të përpiqen për më shumë legjitimitet. Është shumë inkurajues fakti i aktivizimit në politikë, kryesisht në nivel lokal i bashkatdhetarëve tanë dhe komunikimi i tyre, pavarësisht ngjyrave politike që përfaqësojnë.
Albinfo.at: Opinioni juaj nga detyra e ambasadorit në një vend mik, siç është Austria?
Marrëdhëniet midis të dy vendeve janë shumë të mira, të shkëlqyera. Në një masë të konsiderueshme falë prezencës së diasporës shqiptare në Austri. Siç ka thënë në mënyrë të përsëritur kancelari Kurz, një nga arsyet e marrëdhënieve të ngushta të Austrisë dhe interesit të saj për Ballkanin Perëndimor janë lidhjet dhe raportet njerëzore midis tyre. Për mendimin tim, pema e miqësisë kërkon të ujitet e të kujdesohet vazhdimisht, në mënyrë që frytet të jenë të shumta dhe të shijshme.
Box
Austriakët, kontribuues për shqiptarët
Unë vërtet do të doja të shprehja mirënjohje për të gjithë ata që kanë dhënë kontribut të spikatur: Ish-ministri i Jashtëm, Alois Mock, Kancelari Franz Vranictky, Albert Rohan. Presidentët: Heinz Fischer dhe Van Der Bellen, pastaj: Elisabeth Gehrer, Wolfgang Grosruck, kancelari Sebastian Kurz, Michael Spindelegger , Alexander Schallenberg, Wolfgang Sobotka, Elisabeth Gehrer…
Box
Biografi
Roland Bimo u lind në Tiranë. Ka mbaruar Universitetin “Qing Hua” në Pekin. Është i specializuar në Teknologjinë e Informacionit. Ka mbaruar masterin e Nivelit të Dytë në UN e Tiranës, Drejtimi Marrëdhënie Ndërkombëtare si dhe Doktoratën në Degën e Historisë. Bimo ka një përvojë në fushën e diplomacisë nga pozita e Ambasadorit në SHBA, Hungari, OKB, OSBE, Brazil, Vjenë etj. Flet disa gjuhë: anglisht, kinezisht, polonisht dhe italisht.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Granit Xhaka është pjesë e formacionit më të mirë të vitit në Bundesliga Ylli shqiptar i Bayer Leverkusenit, Granit Xhaka, ka përfunduar si pjesë e formacionit më të mirë...
-
Përfundojnë pritjet në kufirin Kroaci-Serbi
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
Gjykata Federale ndalon dëbimin e kosovarit: Djali i tij është invalid i rëndë
Jeta në Zvicër
-
Mediat: Shërbimet mjekësore zvicerane të bëra jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane Në Zvicër, shërbimet mjekësore të kryera jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane, pavarësisht se kushtojnë më...
-
Anëtari i ekuipazhit zviceran ende në kujdes intensiv pas uljes urgjente në Austri
-
Ulja emergjente e avionit zviceran në Graz është shkaktuar nga një problem teknik
-
Berna ka përditësuar, në internet, hartën e saj të rreziqeve sipas qyteteve të kantonit
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit?