Kosova

Kosova, pa ambasadorë

Nga ana tjetër, Serbia mund të intensifikojë fushatën për çnjohje

Tashmë skadimi i moratoriumit ndërmejt Kosovës dhe Serbisë, i arritur si rezultat i Marrëveshjes së Washingtonit, e gjen shtetin kosovar me një diplomaci të lënduar si pasojë e tërheqjes së ambasadorëve nga kryeqendrat botërore, përcjell albinfo.ch.

Theksohet se ky moratorium parashihte ndalesën e fushatës së Serbisë për largimin e njohjeve të shtetit të Kosovës, si dhe ndalesën për aplikimin për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Emir Abrashi, nga Demokraci Plus, ka thënë në një prononcim për Ekonominë Online se kërkesa nga Departamenti Amerikan i Shtetit për shtyrjen e këtij moratoriumi është ende jozyrtare.

Sipas Abrashit, skadimi i moratoriumit e gjen Kosovën pa 23 shefa misionesh, nga 32 sa i ka vendi jashtë.

“Më 4 shtator 2021 ka skaduar moratoriumi i vendosur nga Marrëveshja e Washingtonit, i cili i pamundësonte Kosovës aplikimin në organizata ndërkombëtare dhe, në anën tjetër, i pamundësonte Serbisë vazhdimin e fushatës për çnjohje. Tanimë edhe kur ka skaduar ky moratorium, ne e kemi një kërkesë nga Departamenti Amerikan i Shtetit, e cila nuk është akoma kërkesë zyrtare për shkak se nuk i është dërguar zyrtarisht zyrtarëve qeveritarë as në Kosovë e as në Serbi, me të cilën kërkohet që ky moratorium të vazhdohet”.

“Në anën tjetër, skadimi i këtij moratoriumi nënkupton që Kosova tash e tutje mund të aplikojë për organizata ndërkombëtare, mirëpo në anën tjetër, edhe Serbia mund ta vazhdojë fushatën e saj për tërheqjen e njohjeve ndaj Kosovës. Në këtë aspekt duhet të kemi parasysh që ne e kemi një diplomaci të lënduar për shkak të tërheqjes së një numri të ambasadorëve përnjëherësh nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Nga 32 misione diplomatike sa i ka Kosova, vetëm 9 janë me shefa misionesh aktualisht dhe 23 janë pa shefa”, është shprehur ai.

Abrashi ka konsideruar se në situatën e tillë kur Kosova nuk ka mbulueshmëri me ambasadorë jashtë vendit, e ka të pamundur aplikimin në organizata ndërkombëtare, dhe po të pamundur e ka ta përballojë fushatën e Serbisë për çnjohje.