Kosova

Vrasja e dy zyrtarëve të PDK-së në Pejë, detaje të reja

Mbrëmë dy persona kanë mbetur të vdekur në komunë e Pejës. Pas njoftimeve të para, u bë e ditur se bëhet fjalë për kandidatin për kryetar të kësaj komune nga radhët e PDK-së, Astrit Ademaj dhe ish-kandidatin e PDK-së për Deçanin, Blerand Kadriaj, përcjell albinfo.ch.

Ngjarja ka ndodhur afër shkollës ekonomike “Ali Hadri” në Pejë.

Dy viktimat dyshohet se kanë qenë në një lokal dhe për një moment kanë sulmuar njëri-tjetrin. Dyshohet se Ademaj e Kadriaj kanë shkrepur me armë ndaj njëri-tjetrit, me ç’rast kanë mbetur të vrarë.

I plagosur nga shkrepja e armëve ka mbetur vëllai i Astrit Ademajt, Avni Ademaj.

Për këtë rast detaje kanë dhënë edhe Policia e Kosovës.

“Rreth orës 20:20 minuta policia është informuar se në afërsi të Shkollës Ekonomike në Pejë ka të shtëna me armë zjarri. Me të marrë informacionin, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe është kuptuar se nga këto të shtëna tre persona kanë pësuar lëndime trupore. Të njëjtit janë dërguar në spitalin rajonal në Pejë dhe gjithnjë sipas ekipit mjekësor, kanë konstatuar vdekjen e dy viktimave. Në vendin e ngjarjes janë njësitë relevante të policisë së Kosovës, gjithashtu edhe Prokuroria e shtetit”, tha Driton Rugova, zëdhënës i policisë në Pejë.