Kosova

Presidentja Osmani e kryeministri Kurti: Jemi të gjithë me shpirt e zemër pranë Tetovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka ngushëlluar familjet, presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski dhe kryetaren e Tetovës, Teuta Arifi, për viktimat nga zjarri në Spitalin Covid të Tetovës.

“E prekur thellësisht nga aksidenti tragjik në Spitalin COVID të Tetovës, jua përcjell ngushëllimet e mia familjeve që humbën më të dashurit, Presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, si dhe kryetares së Tetovës, znj. Teuta Arifi.

Në këto çaste të dhimbshme bashkëndjejmë me familjet që humbën të afërmit dhe lutemi për shërim të shpejtë të të lënduarve”, thuhet në mesazhin e Presidentes Osmani.

Nga ana tjetër, edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryetaren e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, pas rastit tragjik që ka ndodhur në spitalin e Tetovës, ku raportohet për disa persona të vdekur. Siç njofton zyra e Kryeministrit, eksplodimi në spital ka marrë jetën e shumë pacientëve. “Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, porsa zhvilloi sonte një bisedë telefonike me Kryetaren e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, për ngjarjen e rëndë në një spital modular atje. Eksplodimi i fuqishëm duket që ka marrë shumë jetë njerëzish, kryesisht pacientë. Kurti i shprehu ngushëllime Kryetares Arifi për këtë tragjedi dhe gatishmërinë për ndihmë, për çfarë Kryetarja Arifi e falënderoi kryeministrin. Lutemi që të ketë sa më pak viktima nga zjarri që po shkrumbon spitalin e Covid në Tetovë. Jemi të gjithë me shpirt e zemër pranë Tetovës, mjekëve e pacientëve”, thuhet në njoftimin e bërë nga zyra e Kryeministrit.