Lajme

Hapet shkolla shqipe në Pfungen të Cyrihut

Mësimi në Pfungen zhvillohet çdo të premte, nga ora 17:30 deri në orën 19:00, me mësuesen Elfete Hasi

Në Pfungen të kantonit të Cyrihut është hapur pika e re shkollore, e paralajmëruar ditë më parë.

Kjo shkollë arriti të hapej me iniciativën e prindërve të Pfungen-it dhe LAPSH-it për kantonin e Cyrihut, ku iniciuesja kryesore është ish-nxënësja e shkollës shqipe, Ardita Maliqi-Abazi, e cila ishte nxënëse e mësueses Elfete Hasi, në shkollën e Neftenbach-ut, transmeton Albinfo.ch.

Në inaugurimin e kësaj pike shkollore morën pjesë mësuesja e njëkohësisht edhe anëtarja e kryesisë së LAPSH-it për kantonin e Cyrihut, Elfete Hasi, mësimdhënëse shumëvjeçare pranë LAPSH-it, fëmijët të cilët do të vijojnë nga tani e tutje mësimin në gjuhën dhe kulturën amtare si dhe prindërit e fëmijëve.

“Hasi u foli prindërve dhe fëmijëve për rëndësinë e mësimnxënjes në gjuhën shqipe si dhe përparësitë që kanë fëmijët në jetën e tyre kur ata e zotërojnë gjuhën amtare. Ajo i njoftoi të pranishmit edhe me programin shkollor që do të zhvillohet me nxënësit. Ndërkaq inciatroja për themelimin e kësaj klase të re, Ardita Maliqi –Abazi, u zotua se do të punojë edhe më tej në sensibilizimin e prindërve me fëmijë të moshës shkollore, në mënyrë që fëmijët të vijojnë mësimin shqip”, thuhet mes tjerash në njoftim, përcjell Albinfo.ch.

Foto: Lulzim Hasi

Edhe fëmijët ishin të gëzuar sepse për ta po fillonte diçka e re, dhe ishin tejet të interesuar për librat dhe materialin.

“Urojmë të shkojë mbarë e me sukses puna e nisur e LAPSH-it në këtë pikë shkollore!”, tha Gëzim Kasumaj, nënkryetar i LAPSH-it për kantonin e Cyrihut.