Futboll

Mergim Berisha largohet nga RB Salzburg, prezantohet te Fenerbahçe

Sulmuesi Mergim Berisha është përforcimi më i ri i gjigantit turk, Fenerbahçe.

Skuadra turke të enjten e ka zyrtarizuar Berishën, të cilin e ka transferuar nga Red Bull Salzburgu.

Sulmuesi 23-vjeçar me Fenerbahçen ka firmosur kontratë katërvjeçare, pra deri në vitin 2025, përcjell albinfo.at.

Transferimin e Berishës te skuadra turke e ka konfirmuar edhe Red Bull Salzburgu. Ai ka thënë se është i emocionuar dhe plotësisht i gatshëm për aventurën e re në karrierën e tij.

“Kam kaluar gjithë kohën time në futboll me FC Red Bull Salzburg, dhe kam qenë në gjendje të mësoj kaq shumë këtu. I jam shumë mirënjohës klubit dhe të gjithë njerëzve për këtë. Tani kam ndjenjën se është koha për diçka të re në karrierë pas gjithë viteve në Salzburg. Po lë një mjedis të njohur për një sfidë të re, e cila është shumë tërheqëse dhe emocionuese për mua”, ka thënë Berisha në sajtin zyrtar të Salzburgut.