Lajme

Angela Merkel merr Medaljen botërore për shëndetësinë

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, përuroi të mërkurën në Berlin hapjen e një qendre të re inteligjence për epidemitë.

Kancelarja, në prani të drejtorit të përgjithshëm të OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, u dekorua me Medaljen botërore për shëndetësinë.

Në fjalën e saj në këtë ceremoni, Merkel deklaroi se në mbarë botën duhet bërë më shumë për të garantuar shëndetin e qytetarëve.

“Duhet të jemi më të përgatitur për pandemitë e së ardhmes. Të them të drejtën, unë nuk e prisja që një pandemi do të përfshinte Europën një ditë. Ne po punonim që ajo të mos e arrinte kontinentin tonë, por tani e përjetuam dhe duhet të nxjerrim mësime prej saj”, tha kancelarja.

Qendra e re do të shërbejë për mbledhjen e informacioneve mbi viruset dhe të dhënat më pas do të analizohen për t’u përdorur në luftën globale kundër pandemive.

Merkel u shpreh se Berlini është vendi i duhur për krijimin e një qendre të tillë dhe vlerësoi punën e spitaleve gjermane në luftën kundër COVID, si dhe institutin Robert Koch.

Qendrës do t’i jepen fillimisht 30 milionë euro financim, që do të shërbejë edhe si një pikënisje për mbështetjen e Gjermanisë ndaj Organizatës Botërore të Shëndetësisë./euronews