Kosova

Turizmi ofron potencial të jashtëzakonshëm për investime nga diaspora

“Koha ku turizmi zhvillohej me printimin e pamfleteve promovuese me foto të natyrës dhe të njerëzve të bukur, ka mbaruar”, thotë Albion Idrizi, drejtues kompanie turistike, i ardhur nga diaspora

Albion Idrizi është një nga përfaqësuesit e sektorit privat në turizmin e Kosovës, i cili ka qenë i përfshirë në shumë procese për zhvillimin dhe transformimin e kësaj dege. Pas përvojës me agjenci të udhëtimeve në Gjermani, ai sot drejton kompaninë e vet në Kosovë. Si trajner i IATA-s me përvojë, ai ka kontribuar në avacimin e turizmit dhe aviacionit përmes trajnimit të kuadrove të reja dhe zhvillimit të produkteve turistike. Albioni thotë se ndjehet me fat që ka qenë në Kosovë gjatë këtyre viteve vendimtare për zhvillimin e turizmit dhe vendit në përgjithësi, një përvojë unike profesionale.

Në vitin 2021, si e shikoni sektorin e turizmit në Kosovë?

Pikat më të forta të turizmit kosovar janë atraksionet natyrore, infastruktura ajrore dhe rrugore, ushqimi dhe jeta sociale si dhe aktivitetet e shumta që i ofrojmë. Por ne si komunitet duhet të punojmë shumë në mbrojtjen e mjedisit, përfshirë edhe menaxhimin më të mirë të mbeturinave, rritjen e kapaciteteve akomoduese, ndërtimin e atraksioneve artificiale, si dhe ngritjen e cilësisë së shërbimit. Para pandemisë së COVID-19 ne kishim sektor të turizimit të vogël, kurse gjatë pandemisë ne nuk patëm turizëm pothuajse fare. Tani, përmirësimi i gjendjes së krijuar nga pandemia është një mundësi e mirë që të rimëkëmbemi direkt në turizëm ekologjik, të përgjegjshëm dhe individual. Të gjitha prognozat tregojnë se ky do të jetë trendi i ri i turizmit, të cilit Kosova ka çka t’i ofrojë.

Viteve të fundit, cilat kanë qenë bashkëpunimet apo përkrahja që ka marrë ky sektor për t’u zhvilluar dhe për të përjetuar ndryshime domethënëse? A mund të përmendni disa aktivitete?

Koha kur turizmi zhvillohej me printimin e disa pamfleteve promovuese me foto të natyrës dhe të njerëzve të bukur, ka mbaruar. Sot nevojitet një bashkëpunim i mirëfilltë i të gjitha grupeve të interesit, të cilat së bashku punojnë në arritjen e objektivave nacionale në harmoni me një strategji kombëtare dhe sipas standardeve dhe përvojave të mira ndërkombëtare. Fatkeqësisht, udhëheqësit e Kosovës nuk ndajnë mjaftueshëm mjete dhe burime njerëzore, por as nuk shfaqin përkushtim ndaj çështjeve që ndërlidhen me turizmin. Një zyrë e vogël në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë që është përgjegjëse për zhvillimin dhe menaxhimin e turizmit kombëtar është vazhdimisht e tejngarkuar dhe e pakfinancuar.

Fatmirësisht, organizatat e huaja joqeveritare, e sidomos projekti PPSE i Swisscontact-it ka qenë dhe vazhdon të jetë tejet aktiv në zhvillimin e turizmit kosovar. PPSE ka investuar shumë në hulumtim, trajnim, mbikëqyrje, zhvillim të produkteve dhe kuadrove, digjitializim dhe promovim të turizmit kosovar.

Ku e shikoni potencialin më të mirë për investime?

Unë uroj që diasporës kosovare t’i kthehet oreksi për investime të sigurta, fitimprurëse, por edhe të përgjegjshme në Kosovë. Investimet në infrastrukturën turistike kosovare i përmbushin këto kushte. Këtu do të veçoja mundësitë e investimeve në hoteleri, gastronomi, kapacitete akomduese malore, parqe aventurash, e-tregti (e-commerce), por edhe në sektorin si qendra të thirrjeve dhe shërbimeve. Pas 3 vitesh zhvillimi dhe testimi, me kompaninë tani jemi pranë përfundimit të faqes sonë fluturime.com, një agjenci krejtësisht e digjitalizuar për rezervimin dhe pagesën online të të gjitha produkteve turistike. Ky projekt nuk do të ishte i mundur pa investimin nga jashtë të bashkëpronarit të kompanisë Besim Idrizi nga Nju-Jorku, i cili ofroi fondet e nevojshme për realizimin e projektit, përkundër pandemisë dhe gjendjes së rënduar në sektorin e turizmit.

Mungon ndihma nga shteti

Fatkeqësisht, udhëheqësit e Kosovës nuk ndajnë mjaftueshëm mjete dhe burime njerëzore, por as nuk shfaqin përkushtim ndaj çështjeve që ndërlidhen me turizmin. Një zyrë e vogël në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë që është përgjegjëse për zhvillimin dhe menaxhimin e turizmit kombëtar, është vazhdimisht e mbingarkuar dhe e pakfinancuar.

Diaspora e ka fjalën

Unë uroj që diasporës kosovare t’i kthehet oreksi për investime të sigurta, fitimprurëse, por edhe të përgjegjshme në Kosovë. Investimet në infrastrukturën turistike kosovare i përmbushin këto kushte. Këtu do të veçoja mundësitë e investimeve në hoteleri, gastronomi, kapacitete akomduese malore, parqe aventurash, e-tregti (e-commerce), por edhe në sektorin si qendra të thirrjeve dhe shërbimeve.