Lajme

Austri: Mbi katër vjet pritje për marrjen e nënshtetësisë

Prej shumë javësh persona të shumtë në Austri janë duke u ankuar në MA35 (Departamenti Komunal për Migrim dhe Shtetësi) për vonesën e përpunimit të lëndëve për pajisje të lejeqëndrimit, bashkimit familjar apo marrjes së nënshtetësisë

Lajmi ka plasur gjatë javës së kaluar edhe në mediat austriake. Kritikat për MA35 janë duke vazhduar thuajse çdo ditë. Tani edhe një “viktime” ka pranuar të flasë.  Këngëtari i Operës, Rene Velazques, ka drejtuar kritika për këtë departament, shkruan albinfo.at.

Gazeta austriake “heute.at”, e cila ishte e para që nisi kritikat ndaj këtij departamenti, shkruan se thirrjet telefonike injorohen qëllimisht, party zhvillohen në zyrët komunale, ndërkohë në anën tjetër, janë persona që shikojnë një të ardhme të pasigurt, për shkak të përpunimit shumë të ngadaltë të aplikimeve për pajisje me dokumente udhëtimi apo leje qëndrimi. MA35, e cila është përgjegjëse për migracionin dhe shtetësinë, aktualisht është nën kritika masive të popullatës.

Siç ka raportuar “Ö1 Mittagjournal”, një person publik tani ka vendosur të tregojë për “telashet” e tij me MA35. Tenori meksikan, Rene Velazquez, jeton në Austri prej 30 vjetëve. Katër vjet e gjysmë më parë, tenori i cili studionte për këndim dhe dirigjim në Mozarteum në Salzburg dhe aktualisht është i punësuar në Metropol në Hernals, aplikoi për nënshtetësi austriake. Nga kjo kohë filloi pritja dhe zemërimi.

E dorëzon kursin e gjuhës C1 për nënshtetësi, MA35 ia kërkon B2 – kështu po shkruan!

Velaszquez ka treguar për “jomiqësinë” dhe mungesën e mirësjelljes së punonjësve të MA35. Dhe me mjaft kërkesa të “çuditshme”: Për shembull, pas tre dekadash banimi në Austri, ai zotëron aftësi të shkëlqyera të gjuhës gjermane dhe gjatë aplikimit ka dorëzuar edhe një test gjuhësor në nivelin C1. Por kjo nuk u njoh nga zyrtarët e MA35: “Zonja që pranoi dokumentet më tha: ‘Jo – duhet të jetë B2, sepse këtu shkruan B2’. Doja t’ia shpjegoja se C1 ka më shumë vlerë se B2, por ajo nuk e kuptoi këtë”, e përshkruan “telashet” e tij tenori meksikan për Ö1.

Velazquezit iu deshtë të plotësoi dokumentet e kërkuara. Ai  iu nënshtrua provimit B2, për të cilin kishte paguar 250 euro. Gjithashtu atij iu desh të sillte dokumente të tjera, t’i përkthente përsëri dhe t’i vërtetonte me vula apostile. Ai ishte përmbajtur që të mos debatojë me zyrtaren komunale. “Do të më kishte ofenduar, dhe lënda ime do të zgjaste me kohë të gjatë”, thotë ai dhe shton. “Si të huaj, ne të gjithë kemi të njëjtin problem. Punonjësit e magjistrat-ëve kanë fuqinë e plotë, ata vendosin për fatin dhe jetën e një personi apo edhe të familjarëve të tjerë”, përfundon tenori meksikan.