Lajme

Bill Gates flet për efikasitetin e vaksinave

Efikasiteti i vaksinave, më i mirë nga sa pritej, tha Gates

Miliarderi i njohur amerikan, Bill Gates, ka bërë rrëfimin e parë pas divorcit me ish-bashkëshorten, Melinda. Në një intervistë ekskluzive, dhënë për CNN, themeluesi i Microsoft përqendrohet te pandemia koronavirus.

Gates, i cili vite më parë paralajmëroi për rreziqet që mund të na vinin nga viruset, ngre shqetësimet e tij lidhur me variantin Delta të Covid-19: “Nëse nuk rikthejmë mbajtjen e maskave në vendet e duhura dhe nëse nuk rrisim nivelin e vaksinimit, do të kemi një valë mjaft të rëndë në vjeshtë dhe kjo është zhgënjyese. Duam që të jemi afër përfundimit të pandemisë, por Delta është një lajm shumë i keq”.

Miliarderi shpreson shumë te vaksinat dhe rezultati i tyre deri më tani e ka impresionuar: “Gjërat po shkojnë më mirë nga sa prisja, sa i përket efektshmërisë që vaksinat kanë. Ju e dini, e kam fjalën për Pfizer dhe Moderna, por edhe për Johnson&Johnson”.

Divorci me Melindën e ka trishtuar pa masë: “Është padyshim një moment tepër i trishtë. Melinda është një person shumë i mirë dhe përfundimi i asaj marrëdhënieje është një burim trishtimi i madh personal. Po komunikojmë dhe punojmë te fondacioni. Këtë lloj marrëdhënie po tentojmë që ta vazhdojmë”.