Lajme

Shpartallohet rrjeti shqiptar i drogës në Vjenë: Arrestohen 24 persona

Policia austriake ka arritur të shpartallojë një rrjet droge shqiptar/kosovar që ishte aktiv që nga viti 2020 në Vjenë dhe Austrinë e Ulët. Droga dhe mbi 200 mijë euro u sekuestruan. 24 persona janë arrestuar

Pas një pune të madhe hetimore, zyrtarë nga Zyra e Hetimit Penal në Vjenë patën sukses në hulumtimin e një grupi kriminal shqiptar / kosovar, shkruan vienna.at.  Personat e arrestuar të cilët dyshohet se janë trafikantë droge, janë të moshave midis 18 dhe 48 vjeç, përcjell albinfo.at

24 persona të dyshuar, arrestohen

Siç shkruajnë mediat austriake, të dyshuarit kishin shpërndarë biznesin e tyre në qarqet (Bezirk-e) e Vjenës si: Landstrasse, Margareten, Favoriten, Simmering, Meidling, Penzing dhe Brigittenau. Në Favoriten, për shembull, ata shisnin drogën nëpër kafene të ndryshme, ndonjëherë në rrugë ose në vetura. Në vetura ata bënin edhe marrëveshjet për shit-blerjen, transmeton albinfo.at

Sekuestrohen drogë dhe mbi 200 mijë euro

Në një sallë të madhe në Austrinë e Ulët, ata rritën bimë narkotike të llojit kanabis. Gjatë kontrollit nëpër shtëpitë e të dyshuarve, u zbuluan 2,000 bimë të cilat do të kishin prodhuar 80 kilogramë drogë narkotike.  Me këtë rast u sekuestruan 3.1 kilogramë kokainë dhe 204 mijë  euro para të gatshme. Po ashtu edhe tri vetura, të cilat dyshohet se janë përdorur për transportin dhe shitjen e drogës, janë sekuestruar nga policia.