Lajme

70 aeroplanë kanë fluturuar gjatë fundjavës nga Zvicra për në Kosovë

Gjatë kësaj kohe, nga pasditja e të premtes deri në natën e të dielës, 45 fluturime janë bërë vetëm nga Bazeli, 19 nga Cyrihu dhe 6 nga Gjeneva

Fluksi i madh i shqiptarëve nga Zvicra drejt Kosovës i shënuar me fillimin e pushimeve verore në Zvicër, është regjistruar edhe nga mediat në gjuhën gjermane, shkruan albinfo.ch.

Kështu, platforma e lajmeve për aviacionin “aerotelegraph.com” shkruan se “gjatë fundjavës, 70 aeroplanë nga Bazeli, Gjeneva dhe Cyrihu kanë arritur në Prishtinë. Në fundjavë, shumë njerëz me rrënjë shqiptare kanë fluturuan nga Zvicra në shtëpinë e tyre të vjetër, në Kosovë”, theksohet në artikullin e kësaj platforme.

“Më shumë se 200,000 njerëz me rrënjë shqiptare jetojnë në Zvicër, shumica prej tyre nga Kosova. Dhe shumë prej tyre fluturojnë në atdheun e tyre të vjetër gjatë pushimeve verore për të vizituar të afërmit.

Kjo është arsyeja që kishte jo më pak se 70 fluturime nga Zvicra për në Prishtinë vetëm nga e premtja pasdite deri në natën e të dielës (18 korrik), kur filluan pushimet në kantonet e populluara dendur: Aargau dhe Cyrih.

Gjatë kësaj kohe, 45 fluturime janë bërë vetëm nga Bazeli, 19 nga Cyrihu dhe 6 nga Gjeneva. Ky numër do të tejkalojë nivelin e regjistruar para pandemisë, transmeton albinfo.ch.

Kompanitë ajrore që bënë “urën ajrore” Zvicër – Kosovë ishin: Chair, Easyjet, ETF Airways, Enter Air, Eurowings, GP Aviation, Helvetic Airways, Heston, Malta Med Air, Swiss dhe Wizz Air dhe Alk Airlines.