Kosova

Kosova i ofron ndihmë Austrisë pas përmbytjeve

Mehaj ka shkruar në Facebook se i është drejtuar ambasadorit austriak në Kosovë, Weidinger, për mbështetje të plotë me kapacitetet e mundshme

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, ka shprehur gatishmërinë që Forca e Sigurisë së Kosovës t’i ofrojë ndihmë edhe Austrisë, pas prekjes edhe të këtij shteti nga vërshimet.

“Pas Gjermanisë, Belgjikës, Holandës e Luksemburgut, sot nga përmbytjet ka pësuar edhe Austria. Me përgjegjësinë më të madhe, me letër zyrtare iu kam drejtuar ambasadorit austriak në Kosovë, z.Weidinger, ku shpreha vullnetin e plotë për mbështetjen e autoriteteve austriake me kapacitetet tona operacionale të specializuara të FSK-së në dispozicion për menaxhimin e situatave të ngjashme. Maksima jonë tradicionale “Miku i mirë në ditë të vështirë” ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë vlerë e natyrshme e popullit dhe shtetit tonë”, ka shkruar Mehaj.