Kosova

Gazeta zvicerane rekomandon vizitën në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut

Vetë titulli, në përkthim të lirë shqip është: "Pushimet verore në Ballkan: Këshillat më të mira për udhëtimet në Kosovë, Kroaci dhe Co"

Pushimet verore në Ballkan dhe rekomandimet se ku mund të kalohen më së miri ato, janë temë e një artikulli të zgjeruar e me ilustrime që ka publikuar sot gazeta Tages Anzeiger. Vetë titulli, në përkthim të lirë shqip është: “Pushimet verore në Ballkan: Këshillat më të mira për udhëtimet në Kosovë, Kroaci dhe Co”.

Gazeta bën kështu një shëtitje gjeografike, duke filluar nga veriperëndimi (Slloveni) deri në jug, në Shqipëri, duke marrë rekomandimet e ekspertëve përkatës të turizmit dhe operatorëve të udhëtimeve, të të gjitha vendeve në këtë hapësirë.

Për Kosovën dhe Maqedoninë, gazeta merr rekomandimet e presidentes së Bordit të Drejtorëve dhe CEO të operatorit fluturues me seli në Cyrih, “Air Prishtina”, Leyla Ibrahimi-Salahi.

Ajo, si një person kompetent në këtë fushë, e fillon përshkrimin me qytetin e Prizrenit, me të cilin në fakt fillon çdo guidë për Kosovën, shkruan albinfo.ch.

Prizreni, simbol i paqes dhe tolerancës

Duke e cilësuar si multikulturor, ajo thotë se qyteti i Prizrenit është një simbol i paqes dhe tolerancës.

“Veçanërisht interesant është Prizreni në jug të vendit, ku xhamitë radhiten pranë kishave ortodokse dhe katolike. Hapja dhe karakteri multikulturor i Prizrenit mund të ndihen kudo. Nuk është çudi që qyteti tani është një simbol i paqes dhe tolerancës” thotë Ibrahimi-Salahi, transmeton albinfo.ch gazetën zvicerane.

“Ura e Terzive” afër Gjakovës është një dëshmi për kryeveprat arkitektonike të Perandorisë Osmane. Ajo daton nga shekulli i 15-të dhe ishte porositur nga shoqata e rrobaqepësve (“terzive”) për të kaluar lumin Erenik dhe për të siguruar rrugë të rëndësishme tregtare”, përfundon ajo.

Liqeni Matka, destinacion në Maqedoninë e Veriut

Edhe në lidhje me Maqedoninë e Veriut është marrë rekomandimi i zonjës Ibrahimi-Salahi.

“Maqedonia e Veriut ende nuk është zbuluar nga masa si një destinacion udhëtimi” thotë  ajo dhe u rekomandon turistëve të vizitojnë Grykën e Matkës në periferinë perëndimore të qytetit të Shkupit.

“Në liqenin akumulues me të njëjtin emër, mund të bëni turne me anije duke i kombinuar me një vizitë në një nga shpellat stalaktite.”
E preferuara e zonjës Ibrahimi-Salahi është shpella “Vrelo” me dy liqene nëntokësore, përcjell albinfo.ch. Ajo thotë se `kryeveprat e kulinarisë”, duke përfshirë degustimet e verës ju presin pas udhëtimit nëpër fushën e Pellagonisë në rajonin e Tikveshit, të njohur për kultivimin e verës.

Shqipëria: Një parajsë e panjohur për ecje malore

Një udhëzues ose pajisjet GPS, mënyra më e mirë për të eksploruar Alpet Shqiptare është duke ecur në këmbë.
Bjeshkët e Nemuna, ndodhen në rajonin e Kelmendit. “Kjo zonë është ideale si një pikë fillestare për ngjitje si ajo nga Lepusha në Majën e Vajushes dhe për një zbritje në Mal të Zi përmes Luginës së Grebajës,” thotë Saimir Shala, Drejtori Menaxhues i “Albanien Reisen”, me seli në Cyrih. Megjithëse shumë shtigje shëtitjeje janë shënuar , ai rekomandon një udhëzues ose të paktën një pajisje GPS për turneun në rajon, transmeton albinfo.ch.

Lugina e Përmetit është ende një pikë pothuajse e panjohur për udhëtarët. Këtu rrjedh një nga lumenjtë e fundit të egër në Evropë, Vjosa. Në fshatin Benje, 30 minuta nga qyteti i vogël i Përmetit, mund të relaksoheni në burimet termale të ngrohta dhe squfurore dhe të shijoni pamjen e urës së vjetër osmane”, thotë Shala.