Kosova

10 të arrestuar në Pejë, Klinë, Istog e Deçan

Mes tyre 4 drejtorë të Urbanizmit

Sot, në Pejë ka përfunduar aksioni i policisë dhe prokurorisë për gjetje të provave për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, përcjell albinfo.ch.

Thuhet se pas bastisjeve në Drejtorinë e Urbanizmit dhe në inspektoratin komunal, janë arrestuar një zyrtare në drejtori dhe një inspektor i ndërtimit me dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me ndërtime të paligjshme.

Mësohet se me urdhër të Prokurorisë Themelore të Pejës, të enjten janë kryer bastisje në tri komuna, Pejë, Klinë dhe Istog.

Deri më tani në aksionin që është zhvilluar në 4 komuna të Kosovës me urdhër të Prokurorisë së Pejës, janë ndaluar 10 persona.

Në mesin e 10 personave të arrestuar, 4 prej tyre janë drejtorë të Urbanizimit të komunave Istog, Pejë, Deçan e Klinë.

Për detaje të tjera Prokuroria Themelore në Pejë, ka paralajmëruar se do të mbajë një konferencë për media duke filluar nga ora 15 e 30.