Lajme

Ky kanton do të mbyllë qendrën e vaksinimit: Interesimi shumë i ulët

Autoritetet e arsyetojnë këtë me faktin se gjithnjë e më pak njerëz duan të vaksinohen kundër virusit corona

Kantoni Nidwalden në Zvicrën Qendrore do të mbyllë mbyll në fund të gushtit qendrën kantonale të vaksinimit në Stansstad, e cila ka hyrë në veprim në fillim të majit, shkruan srf.ch.

Autoritetet e arsyetojnë këtë me faktin se gjithnjë e më pak njerëz duan të vaksinohen kundër virusit corona, transmeton albinfo.ch. Siç ka njoftuar Departamenti i shëndetësisë të hënën, një gjë e tillë ishte planifikuar që nga fillimi.

Përgjegjësit supozojnë se motivimi për t`u vaksinuar do të vazhdojë të bjerë në të ardhmen e afërt. Kjo sepse shumë njerëz që kanë dashur të vaksinohen janë vaksinuar, situata e koronavirusit është qetësuar dhe konsiderohet se shumë kandidatë potencialë për t`u vaksinuar mungojnë për shkak të pushimeve.

Kjo, nga ana tjetër do të thotë që ngarkesa e punës në qendrën e vaksinimit intensiv po ulet në mënyrë të vazhdueshme.

Për momentin, 58 për qind e popullsisë në kantonin Nidwalden të cilët teorikisht mund të vaksinohen, kanë marrë të paktën vaksinimin e parë.